Mjekët e urgjencës së spitalit të Durrësit janë denoncuar për neglizhencë pas vdekjes së gruaje në ambientet spitalore. Ata janë akuzuar nga qytetari Albert Dedej, i cili pretendon se bluzat e bardha nuk kanë kryer misionin e tyre dhe për pasojë motra e tij ka ndërruar jetë në duart e tyre.
Dedej thotë se motra e tij 56-vjeçare kishte shkuar në urgjencë pasi kishte kapërdirë një sasi medikamentesh dhe për tre orë me radhë nuk është vizituar nga mjekët. Sipas tij, bluzat e bardha nuk u angazhuan aspak në këtë rast pasi motra e tij ishte bërë pis teksa ishte rrëzuar në një kanal në zonën e Porto-Romanos.
Krahas denoncimit publik (videoja më poshtë), Dedej thotë se do bëjë denoncim edhe në policinë e Durrësit me qëllim që kjo e fundit të nisë hetimet përkatëse. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në urgjencën e spitalit të Durrësit.
(Foto:Viktima)

Nga ana tjetër, jashtë kamerave, mjekët deklarojnë se rasti është trajtuar me përkushtim maksimal, por për fatin e keq pacientja ka ndërruar jetë. Mjekësia ligjore po punon për të mësuar shkakun e vërtetë të vdekjes së 56-vjeçares, e cila sipas të afërmve është paraqitur e helmatisur nga medikamentet që kishte pirë.
Ky rast është pasqyruar edhe në komunikatën e policisë, datë 28.08.2018.
- Më datë 27.08.2018, në lagjen nr. 15, në banesë është vetëhelmuar me medikamente mjekësore, shtetasja E.D., vjeçe 56, e cila vdiq në spital. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës. Neni 99 i Kodit Penal.





