DURRËS, 3 nëntor 2014–  Për herë të parë në këtë më shumë se një vit e pak muaj pushtet, qeveria e Edi Ramës ka bërë një deklaratë, si ato që bënte qeveria e Sali Berishës, në kohën më të keqe të saj, atëhere kur kapej me presh në duar. Thelbi i saj i shëmtuar është: mos i’u përgjigj akuzave, por përbalt atë që i ngre ato. Kështu ka ndodhur pas denoncimit të PD-së, se tenderin për dekorin e qytetit me rastin e vizites se Papa Franceskut në Tiranë, e ka fituar kompania EAG, që dyshohet se është pronë e vëllait të ministrit Erion Velia. “Është koha që opozita të dale nga klubi i thashethemeve provinciale dhe të kthehet në Kuvend. Ku e presim krahëhapur për të debatuar për problemet reale, për sfidat reale, për zgjidhjet reale që Shqipëria kërkon pas aq shumë vitesh rrënim nën pushtetin e një partie që sot nuk di ku ka kokën, nuk di ku e shpien këmbët, nuk di çfarë i nxjerr goja”, thuhet ne deklaraten e kryeministrisë.

Por në fakt publiku nuk priste një reagim të tillë bajat si ato që bënte dikur Jozefina. Në akuza ishin shtruar disa pyetje.

Si ka mundësi që tenderin e fitoi një kompani e afërt me vëllain e Erion Velisë, Arbërin? Si ka mundësi që tenderi i jetet asaj kompanie që ka adresë të njëjtë (apartamentin 3/5, të rrugës “Ibrahim Rugova”, pallati përbri Plus, Tiranë/shih faksimilet në shkrimin poshtë) me kompaninë legale “Gogel” të Arbër Velisë? Si ka mundësi që shuma prej 394 milionë lekësh prokurohet pa garë? Si ka kjundësi që ajo i jepet një kompanie pa eksperiencë (dokumentat e QKR-së tregojnë vetëm tetë muaj aktivitet)? Si ka mundësi që ajo i jepet një kompanie pa objekt parësor dekorimin e qytetit?

Dhe po t'i shtosh kësaj edhe dyshimet që hedh opozita, pra faktin se Gentian Skënderaj, njeriu që sipas PD-së shërbente si emër i fshehtë për kompaninë e vëllait të Velisë, u bë kandidati kryesor i shumicës për t'u bërë kryetar i AMA-s, dyshimet bëhen edhe më skandaloze.

Po pyetja është se përse kryeministria u përgjigj ashtu? Pse në komunikatën e saj foli me të njëjtën gjuhë siç fliste Berisha pas Gërdecit dhe privatizimit të ARMO-s? Ka një amoralitet të madh në këtë rast. Jo vetem për faktin se u shpenzuan pa tender 394 milion lekë për vizitën e Papës, por se kjo është një qeveri që ka çuar ish ministra në prokurori, për praktika të tilla dhe ka denoncuar publikisht shpërndarjen klienteliste të fondeve shtetërore. A po përsëritet historia? Gjuha e përdorur nga kryeministria të bën të mendosh: PO.   

 

Deklaratat e ditëve të fundit

Qëndrimi i parë i PD-së

Partia Demokratike ka denoncuar sot shkeljet me tenderin për dekorin e qytetit me rastin e vizites se Papa Franceskut në Tiranë, duke akuzuar për tenderim të drejtperdrejte për kompaninë EAG, që ka një adresë me të vëllait të ministrit Erion Veliaj. 

“EAG është biznesi i Erion Veliajt, për të cilin kujdeset vëllai i tij”, tha deputeti i PD-se, Gerti Bogdani, gjatë një deklarate për mediat, duke shtuar se “këto dokumenta që kemi këtu të lëshuara nga QKR, deshmojne se në një moment të historikut të tyre, kompania GOGEL, e cila ligjërisht zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i ministrit të Mirëqënies Sociale e Rinise, ka të njëjtën adresë, të njëjtën rrugë, të njëjtën shkallë, të njëjtin apartament me kompaninë EAG, fituese e tenderit”. 

Bogdani u shpreh se “Gogel e Erion Veliajt dhe EAG e 394 milionë lekëve të vizitës së Papës, bashkohen në apartamentin 3/5, të rrugës “Ibrahim Rugova”, pallati përbri Plus, Tiranë”. “Partia Demokratike e denoncon këtë rast të pastër korruptiv dhe bëjmë me dije se në ditët në vijim do të nxjerrim në dritë të tjera fakte mbi këtë makutëri të pashoqe, të pasurimit dhe abuzimit edhe me vizitën e Papa Franceskut”, tha Bogdani.

Kryeministria i është drejtuar me një apel sot opozitës, për të dalë “nga klubi i thashethemeve dhe për t’u kthyer në Kuvend, ku pritet krahëhapur për të diskutuar për problemet reale”. 

Deklarata vjen pas akzuave të PD-së për përfitimet qeveritare gjatë vizitës së Papës, bërë nga deputeti demokrat Gerti Bogdani. 
“Është koha që opozita të dale nga klubi i thashethemeve provinciale dhe të kthehet në Kuvend. Ku e presim krahëhapur për të debatuar për problemet reale, për sfidat reale, për zgjidhjet reale që Shqipëria kërkon pas aq shumë vitesh rrënim nën pushtetin e një partie që sot nuk di ku ka kokën, nuk di ku e shpien këmbët, nuk di çfarë i nxjerr goja”- thuhet ne dekklaraten e kryeministrise. 

Qëndrimi i qeverisë

Kryeministria sqaron se ndjek me keqardhje degjenerimin e opozitës në një klub thashethemesh prej province, dhe informon opinionin publik se në çdo vendim e veprim të sajin, Qeveria e Shqipërisë, udhëhiqet nga interesi kombëtar dhe publik. 

“Përgojimi në klubin e ish-oficerëve i organizimit botërisht të suksesshëm, për pritjen e Papa Franceskut, është një tjetër dëshmi e degjenerimit politik, moral dhe madje edhe logjik të opozitës sonë. Njësoj siç ka dalë kundër çdo aksioni për vendosjen e ligjit; kundër policisë për Lazaratin e Dukagjinin; kundër INUK-ut për çlirimin e pronës së përbashkët nga zaptimet e paligjshme; kundër mbylljes së fabrikave të diplomave fallco; kundër operacionit për ndalimin e kapjen e hajdutëve të energjisë; sot opozita doli kundër Qeverisë edhe për organizimin e pritjes së Papës”- theksohet ne te.

Qëndrimi i dytë i PD-së

Pas kryeministrisë, selia blu ka reaguar sërish, duke thënë se qeveria i është përgjigjur me sulm akuzave qe tregojnë korrupsionin dhe abuzimin me pushtetin.

"Përballë fakteve të rënda e kompromentuese, që tregojnë korrupsion, nepotizëm, dhe abuzim me pushtetin, Edi Rama ka zgjedhur të sulmojë opozitën. 
Sulmi i Edi Ramës ndaj opozitës nuk sjell asnjë dobi publike dhe aspak transparence, në lidhje me faktet e denoncuara nga Partia Demokratike sot. 394 milionë lekë janë prokuruar nga qeveria në mënyrë të drejtpërdrejtë, pa garë, për interes të Erion Veliajt. Eshtë fakt që kompania që ka fituar tenderin për dekorimin e qytetit me rastin e vizitës së Papa Franceskut, kishte vetëm pak muaj që ishte krijuar, dhe nuk plotëson asnjë prej kushteve teknike. Eshtë fakt që kompania fituese, ka të njëjtën adresë, është e strehuar tek zyrat e Vëllait të Ministrit të Mirëqënies. Vizitën e Papa Franceskut e mirëpriti cdo shqiptar, por Edi Rama dhe zyrtarët e tij gjetën rastin të pasurohen financiarisht. Këto janë faktet. Reagimi i Edi Ramës sot është një shkarkim bloze në ajër për të krijuar mjegull. Por nuk ka shoshë që e mbulon dot korrupsionin qeveritar dhe ministrat serial-abuzues. Edi Rama premtoi se do të reagonte kur ministrat përfshihen në skandale, por mbrojtja që po i bën sot korrupsionit e bën atë dy herë përgjegjës. Sot dëshmoi se në këtë afere ka dhe ai pjesën e tij", thuhet në deklaratë.

/marrë nga lapsi.al/