Fejzi Shkemza me banim në Shkodër, tregon, se ka blerë një automjet në Korçë, por nuk e po e lenë ta gëzojë. Makinën e ka blerë në tetor me kontratë dhe i ka ndryshuar pronësinë në nëntor 2023. Fejziu thotë, se në janar 2024 i vjen një gjobë, që ka marrë në Maliq, por në Maliq nuk ka qenë kurrë.

Fejzi Shkemza, denoncuesi: Unë fillimisht kam kontaktuar me personin e makinës që e kam parë në internet, kam shkuar drejt Korçës direkt. Kam rënë në ujdi me personin për çmimin e për të gjitha dhe e kam blerë makinë. Kam paguar paratë dhe kam shkuar tek DPSHTRR-ja Korçë, aty kam bërë gjithë dokumentacionin dhe ishte çdo gjë në rregull. Makinën e kam blerë më 20 tetor në Korçë.

Gjoba e ngarkuar në janar 2024 ka vlerën 300 mijë lekë të vjetra dhe është shoqëruar edhe me heqjen e 3 pikëve në patentë. Ajo mban datën 10 korrik 2023, datë kur Fejzi Shkemza nuk e kishte atë makinë dhe ka qenë në Shkodër. Fejziu i është drejtuar Policisë së Korçës, ku i kanë pohuar, se gjoba është marrë në korrik 2023, por pa i dhënë zgjidhje, për t’ia hequr ndëshkimin nga emri i tij.

Denoncuesi: Gjoba me sa ka dalë në kompjuter është marrë në Maliq të Korçës më datën 10 korrik 2023 në orë 16:50. Unë kam qenë në shtëpi, në Shkodër, makina nuk ka qenë e imja. Makina u bë në pronësinë time më 2 nëntor. Më thanë që duhet të lidhesh me Drejtorinë Rajonale të Korçës për të bërë kërkesë me shkrim. Bëra kërkesën me shkrim prita një muaj dhe më erdhi një përgjigje. Thuhej që gjoba është marrë më 10 korrik 2023. Unë jam dakord që mund të jetë marrë gjoba, s’është se nuk është marrë gjoba por, nuk ka qenë makina në pronësinë time. Atëherë më kthyen përgjigjen e parë, prita pak ditë më thanë bëj edhe një të dytë. Mund të ketë dy muaj e gjysmë kërkesa e dytë dhe nuk kam marrë përgjigje akoma. Atëherë u detyrova kur nuk kishte zgjidhje nga shteti, erdha tek Stop-i.     

Stop ka siguruar kontratën e shit-blerjes së makinës në 18 tetor 2023, pas së cilës është prodhuar dhe leja e re e qarkullimit në nëntor 2023. Eksperti Artur Sulçe duke analizuar rastin, thotë, se përveçse nuk respektohet Kodi Rrugor, edhe mundësia për t’u paguar ½ e shumës, nuk lejohet, pasi gjoba është hedhur jashtë afateve. Kjo gjobë, thotë Sulçe, duhet të hidhej në emër të pronarit të vjetër të makinës.

Artur Sulçe, ekspert: Hedhja me vonesë humbet edhe atë të drejtë që ka ai që është gjobitur, përdoruesi i këtij mjeti që të zbatohet edhe ato rregullat e Kodit Rrugor, që nëse ju e paguani brenda 15 ditëve, paguani gjysmë e atij penaliteti për shkeljen që keni bërë. Nuk ka arsye që t’i jepet pronarit tjetër kjo lloj gjobe. Ajo mund të ishte në sistem e gjitha meqë po vihej pas 6 muajsh e t’i vendosej pronarit të vjetër. Në kushte normale të këndvështrimit tim duhet patjetër që ai komisioni i gjobave, penaliteteve kur hidhen kështu, ai komisionin mund ta zhbëjë me një vendim dhe t’ia kaloj pronarit të parë.

Marrë nga TV Klan