2dhjetor 2015 – Rastet e korrupsionit në shëndetësi nuk kanë të mbaruar! Emisioni “Fiks Fare” sjell një tjetër rast mitmarrje nga ana e bluzave të bardha në Korçë.
Një grua nga fshati Polosk i Korçës, pasi ka shkuar me bashkëshortin në spitalin e rajonal të qytetit për ta operuar për herrnine, mjekët ia kanë ofruar këtë shërbim kundrejt “kafes” së tyre. Në pamundësi ekonomike për të paguar mjekët, gruaja është detyruar t’i drejtohet emisionit “ Fiks Fare”.
“Para dy muajsh bashkëshorti im S.R, ka shkuar për t’u operuar në spitalin e Korçës, por mjekët i kanë kërkuar lekë. Ka qenë shefi i urgjencës Kujtim Shabani, i cili i ka thënë se për të marrë shërbimin e nevojshëm duhet të paguajë. Jemi të dy të papunë dhe nuk kemi mundësi financiare për të kryer operimin. Ju lutem na ndihmoni”, shkruante shtetasja R.N.
Kaq ka mjaftuar që gazetarët e këtij emisioni të nisin investigimin. Fillimisht M. R dhe S. R kanë kontaktuar me shefin e urgjencës Kujtim Shabani, bashkëshortja e pacientit, u ka rikujtuar bisedën para dy muajsh, mjekut, i cili ja ka prerë shkurt “në atë kohë nuk kishit mundësi, tani jeni gati? Të flas me kirurgun dhe takohemi”. Pasi shefi i urgjencës, takohet me kirurgun, ai bisedon me pacientin S.R. dhe bashkëshorten e tij, M.R, ku u tregon se operacioni shkon tek 20 mijë lekë të reja dhe do të kryhej ne spitalin e Korçës. Pas kryerjes së analizave (ditë e enjte), pacientit i spital kërkojnë që të rikthehet ditën e hënë për të finalizuar operacionin.
Të hënën gazetarët e Fiks Fare kanë shkuar bashkë me bashkëshortët në spitalin e Korçës. Fillimisht gazetarët kanë kontaktuar shefin e urgjencës Kujtim Shabani , i cili pasi i ka pyetur nëse pacienti ishte gati (a i kishin marrë masat për lekët), ka kontaktuar me kirurgët, duke e dërguar më pas të sëmurin në paradhomat e operacionit. Më pas të afërmit e pacientit (ku ishte edhe një gazetare e Fiks Fare) shoqërohen për tek kirurgu i cili do kryej operacionin, Landi Ballço.
Kirurgu Ballço, fillimisht ka kërkuar 5 mijë lekë, për rrjetën që do i vendoste pacientit, ose jep alternativën për ta blerë në farmaci. Ndërsa për pagesën tjetër, kirurgu është shprehur se nuk bëhet pazar para operacionit. Pas daljes me sukses nga operacioni, kirurgu ka kontaktuar sërish me familjarët e pacientes, ku është shprehur se “operacioni ka dalë me sukses. Ndërsa u ka kërkuar familjarëve 5 000 lekëshin e rrjetës, ai u ka kujtuar se duhet të paguheshin edhe dy kirurgët e tjerë dhe anestezisti. Madje kirurgu Ballço ka dhënë edhe alternative për shumat që mund të paguheshin mjekët e tjerë, ku sipas tij u jepet nga 3000 – 4000 lekë sipas dëshirës dhe mundësive së këtyre të fundit.
Pas insistimit të gazetares së “Fiks Fare” për sasinë e lekëve që duhej të jepte, mjeku është shprehur se këtë pazar e kanë vendosur familjarët me shefin e urgjencës Kujtim Shabani. Kjo ka bërë që gazetarja e “Fiks Fare” t’i jepte kirurgut Landi Ballço, 5000 lekë për rrjetën, dhe 15000 lekë për dy kirurgët si dhe shefin e anestezisë, që sipas kirugut Ballço kanë asistuar në operacion. /citynews/





