Sot Presidenti Ilir Meta nga Durrësi i bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë krimin zgjedhor. Meta tha se qytetarët duhet të denoncojnë dhe përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike.
Presidenti thotë se i ka hapur rrugë kësaj nisme për të realizuar një proces zgjedhor transparent dhe sipas standardeve europiane.
“I ftoj të gjithë qytetarët t’i bashkohen nismës ‘denonco krimin e zgjedhor’, ku çdo qytetar mund dhe duhet të demaskojë çdo veprim që përbën shkelje të së drejtës themelore të votës. Krimi zgjedhor godet dhe dhunon vullnetin e zgjedhësit, përdhos Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të drejtat, liritë dhe vlerat universale që mbrohen prej saj ku çdo e drejtë buron pikërisht nga vota e lirë dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Rreziku i intimidimit të votuesit, shitblerjes së votës është prezent. Duhet të bëhemi barrikadë për këto veprime të papranueshme në një vend demokratik. Ndaj i kam hapur rrugë kësaj nisme për të realizuar një proces transparent dhe sipas standardeve europiane. Prej dy ditësh kemi vendosur në dispozicion të të gjithë qytetarëve një dritare për të denoncuar. Kjo dritare shfaqet në faqen e Presidentit të Republikës. I ftoj qytetarët të mos hezitojnë, të mos tremben, por të denoncojnë me kurajë çdo veprim të kundraligjshëm”, deklaroi Meta.
Sipas tij, degradimi i zgjedhjeve me modelet e Shijakut dhe Dibrës, e kanë bërë Shqipërinë të ëndërrojë zgjedhje si në Kosovë e Maqedoninë e Veriut, por ai garanton se me hir e pahir më 25 prill do të arrihet triumfi i demokracisë.
“E thërras këtë aleancë me qytetarët, për të sensibilizuar e përkrahur drejtpërdrejt çdo qytetar e funksionar që të denoncojë në Prokurori, KQZ edhe tek Presidenti me qëllim që askush mos i shmanget drejtësisë. Përmes kësaj aleance do të garantojmë se kushdo që tenton të prekë votën e lirë s’do të ketë shpëtim, por ndëshkim të mrekullueshëm e spektakolar, siç e meriton një armik i Republikës. Kush prek votën, është armik.
Degradimi i zgjedhjeve sipas modeleve të Shijakut e Dibrës, na ka bërë të jemi kaq mbrapa sa të ëndërrojmë zgjedhje si në Kosovë e Maqedoni, e të ngelemi peng i çeljes së negociatave, kur Mali i Zi e ka bërë në 2012, Serbia në 2014, dhe ne në rast se do të arrijmë me pahir e me hir triumfin e demokracisë më 25 prill, ky proces do të shkojë pafund. Kemi qenë para tyre.
Do të trajtoj çdo denoncim, dhe do të publikoj faktet. Vetëm nëpërmjet ushtrimin e garantimit të votës do i japim fund krizës së legjitimitetit’’- tha Meta.





