Vendet evropiane vazhdojnë të kryesojnë në zhvillimin e rrjetit rrugor, ndërsa Shqipëria mbetet në një fazë të hershme, me një densitet të ulët autostradash krahasuar me rajonin dhe Bashkimin Evropian. Të dhënat më të fundit të Eurostat për vitin 2024 evidentojnë një diferencë të konsiderueshme mes Europës Perëndimore dhe Ballkanit, si për shtrirjen e rrjetit, ashtu edhe për intensitetin e investimeve në dekadën e fundit.

Shqipëria në fund të klasifikimit për autostrada

Harta e densitetit të autostradave për vitin 2024 tregon se Shqipëria renditet në kategorinë më të ulët, me nën 15 km autostrada për 1,000 km². Ky tregues e vendos vendin në nivel të ngjashëm me disa vende të Ballkanit dhe të Evropës Lindore, shumë larg standardeve të vendeve si Gjermania, Holanda dhe Belgjika, ku densiteti mund të arrijë mbi 80 km për 1,000 km² në disa rajone.

Rajonet më të zhvilluara të Europës Qendrore dhe Perëndimore dominojnë hartën me rrjete të dendura dhe të integruara, ndërsa infrastruktura në Europën Juglindore mbetet e fragmentuar. Shqipëria, pavarësisht investimeve në aksin kombëtar gjatë dy dekadave të fundit, nuk ka arritur ende të krijojë një rrjet autostradash të gjerë me standarde europiane.

Zgjerimi i rrjetit, Shqipëria jashtë valës kryesore

Ndërsa vendet e tjera po përparojnë me shpejtësi, Shqipëria mbetet prapa në zgjerimin e rrjetit rrugor. Nga të dhënat rezulton se periudha 2014–2024 ka shënuar shtim të rëndësishëm të autostradave në disa shtete evropiane.

Spanja ka udhëhequr këtë trend, me ndërtimin e segmenteve të reja autostradash që shtrihen nga 131 deri në 242 km në rajone të ndryshme. Zhvillimi i saj lidhet me programin ambicioz rrugor që ka nisur që nga vitet ’90.

Po ashtu, zgjerime të dukshme janë regjistruar edhe në Sllovaki, Turqi, Çeki, Irlandë, Bullgari dhe Itali, duke treguar një përkushtim të vazhdueshëm ndaj përmirësimit të lidhshmërisë dhe infrastrukturës transportuese. Shqipëria, nga ana tjetër, nuk është pjesë e vendeve me zgjerim të ndjeshëm të rrjetit në këtë periudhë, duke reflektuar një ritëm më të ngadaltë të zhvillimit krahasuar me rajonin.