Gjergji Dervishaj në dyqanin e të cilit u gjet arsenal armësh në Vlorë ka kyçur gojën para policisë.

31-vjeçari nuk ka folur duke mos ndihmuar hetimet që do t’i çonin uniformat blu te grupi kriminal që do t’i përdorte armët.

Pritet ekspertiza e këtyre të fundit nëse kallashnikovët dhe pistoleta e gjetur janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër apo nëse kanë gjurmë gishtash.

Blutë veç dyqanit të rrobave në lagjen 10 Korriku kanë ushtruar kontroll edhe në banesën e Dervishajt si dhe në biznese të tjera në zonë. Mësohet se 31-vjeçari ka qenë nën survejim prej disa ditësh pasi sipas informacioneve të uniformave blu arsenali i armëve kishte vetëm pak ditë që ishte fshehur në depon e biznesit.

Blutë i gjetën armët brenda një valixheje ndërsa u sekuestruan 4 kallashnikov, njëri prej tyre me silenciator, 1 minë, 1 pistoletë, 800 fishekë, jelek antiplumb dhe targa automjetesh.

I arrestuari është person me precedent penal pasi rezulton i skeduar në fushën e narkotikëve. Ndërkohë biznesi operonte prej disa vitesh në Vlorë ku tregtoheshin rroba të përdorura.