Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio tha se 10 anëtarë të tjerë të dyshuar të bandave ndërkombëtare mbërritën në El Salvador mbrëmjen e djeshme.

“Mbrëmë, 10 kriminelë të tjerë nga Organizatat e Huaja Terroriste MS-13 dhe Tren de Aragua mbërritën në El Salvador”, shkroi Rubio në një postim në platformën  X sot.

Diplomati i lartë amerikan përshëndeti aleancën midis Presidentit amerikan, Donald Trump dhe Presidentit të Salvadorit Nayib Bukele, të cilët janë planifikuar të takohen të hënën në Shtëpinë e Bardhë, si një “shembull për sigurinë dhe prosperitetin në hemisferën tonë”.

Administrata Trump ka deportuar qindra emigrantë për të cilët thotë se janë anëtarë të bandës, ndërsa refuzon të zbulojë identitetin e tyre ose provat kundër tyre, duke shkaktuar ankesa dhe sfida ligjore nga familjet e emigrantëve dhe nga kritikët që thonë se administrata po shkel liritë civile.

Dy zyrtarë amerikanë thanë javën e kaluar se administrata po përgatitej të dërgonte më shumë emigrantë me precedentë kriminalë në mega-burgun famëkeq të El Salvadorit pas një urdhri të Gjykatës së Lartë që lejon përdorimin tani për tani të një autoriteti gjithëpërfshirës të kohës së luftës për dëbimet.