Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic, bëri këtë deklaratë lidhur me arrestimin dhe dëbimin e gjashtë shtetasve turq ma banim të ligjshëm në Kosovë:
-Arrestimi dhe më pas deportimi i gjashtë shtetasve turq që banojnë ligjërisht në Kosovë ngre pikëpyetje rreth respektimit të procesit të rregullt ligjor.
-Sundimi i ligjit është një parim themelor i Bashkimit Evropian. Në përputhje me vendosmërinë e saj për të ndërtuar një të ardhme të lirë dhe demokratike dhe siç përcaktohet në Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, të gjitha veprimet e institucioneve vendore të Kosovës kanë si detyrim respektimin e plotë të sundimit të ligjit si dhe nxitjen e respektit universal për të drejtat e liritë themelore të njeriut. Procedurat arbitrare në lidhje me arrestimin, ndalimin ose deportimin janë kundër këtyre parimeve.
-Përsa i përket Turqisë, ndonëse e kuptojmë nevojën për të sjellë para drejtësisë fajtorët e përpjekjes për grusht shteti të 15 korrikut, çdo keqbërje ose krim i supozuar duhet t’i nënshtrohet procesit të duhur dhe normave ndërkombëtare të mirëpërcaktuara sa herë që kërkohet një ekstradim. E drejta e çdo individi për gjykim të drejtë duhet të respektohet plotësisht. Si vend kandidat i Bashkimit Evropian dhe anëtare e Këshillit të Evropës, Turqia i ka nënshkruar këto parime./VOA