Depozitimet automatike të parasë cash në bankomate u rritën për të gjashtin vit radhazi në 2023. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar u kryen më shumë se 769 mijë depozitime cash në ATM, në rritje me 34% krahasuar me vitin 2022.
Ndërsa vlera totale e depozitimeve arriti në 38 miliardë lekë, me rritje prej 27% krahasuar me një vit më parë.
Edhe numri i bankomateve me funksionin e depozitimit të parasë fizike u rrit për të tetin vit radhazi vitin e kaluar, duke dëshmuar shtimin e investimeve të sektorit bankar për të automatizuar ofrimin e shërbimeve bankare.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash në fund të vitit 2023 arriti në 370, me rritje prej 21% krahasuar me një vit më parë. Tashmë, 40% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash.
Shtimi i ATM-ve me funksion depozitimin e parasë është një zhvillim i rëndësishëm për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve bankare dhe për shkurtimin e kohës së marrjes së tyre nga publiku. Pagesat cash në arkë kanë qenë dhe pjesërisht ngelen një nga arsyet kryesore të fluksit të klientëve në degët e bankave.
Automatizimi i këtij shërbimi nëpërmjet ATM-ve mund të ndikojë ndjeshëm në uljen e flukseve, pakësimin e radhëve dhe përdorimin e degëve të bankave vetëm për ato raste ku ofrimi i shërbimit nga stafi është i domosdoshëm. Ashtu siç prej vitesh tërheqja e parave të nevojshme për shpenzimet konsumatore bëhet prej ATM-ve, tani teknologjia mundëson të njëjtin komoditet edhe për depozitimin e tyre.
Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar shqiptar ofronte shërbim nëpërmjet 925 ATM-ve aktive, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë. Numri i ATM-ve kishte rënë vazhdimisht në periudhën 2015-2019, sidomos për shkak të uljes së numrit të degëve, por edhe për shkak të pakësimit të numrit të përgjithshëm të bankave tregtare.
Por, duke filluar nga viti 2020, edhe nën shtysën e pandemisë, bankat shtuan numrin e ATM-ve (kryesisht të vendosura në mjedise jashtë degëve), me qëllim lehtësimin e flukseve të operacioneve në sportele.
Paralelisht, shtimi i ATM-ve po shoqërohet edhe me përditësim të teknologjisë dhe të shërbimeve të ofruara prej tyre. Rritja e numrit të tyre është ende e nevojshme për të plotësuar nevojat e një shoqërie me përdorim të lartë të parasë cash dhe për të ulur flukset e klientëve në degë.
Megjithëse përqindja e veprimeve me cash-in është në rënie graduale vit pas viti, por sidoqoftë ngelet dominuese kundrejt numrit total të veprimeve që shqiptarët kryejnë me karta bankare.
Vitin e kaluar, rreth 58% e veprimeve me karta bankare ishin tërheqje apo depozitime të parasë cash, por pesha e këtyre veprimeve ishte në rënie nga niveli prej 64% i vitit 2022.
Në vlerë monetare, pesha e veprimeve me paranë cash është edhe më e lartë, me rreth 84% të volumit të përgjithshëm të transaksioneve me kartë./Monitor