Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar për shqyrtim nisma e deputetes së PS-së, Blerina Gjylameti, për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me tatim 3%, si për individët edhe për personat juridikë.
Referuar relacionit, propozimi i deputetes Gjylameti ka për qëllim t’u ofrojë edhe një herë qytetarëve mundësinë e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme nga data e hyrjes në fuqi deri më 31 qershor 2025.
Në draft propozohet që subjekt i këtij ligji të jetë edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme të individëve që janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë, që kanë kontrata sipërmarrjeje dhe jetojnë në pallate ende të pa legalizuara.
“Kjo dispozitë synon të trajtojë raste të atyre individëve që janë në proces legalizimi të pasurive të paluajtshme apo edhe raste të individëve që kanë apartamente me kontratë porosie apo sipërmarrje, por për shkak të problemeve që ka shoqëria ndërtuese me mosrespektimin e lejes së ndërtimit, hipotekimi i pallatit nuk kryhet. Parashikimi bën të mundur që edhe ky individ të ketë të drejtë të rivlerësojë pasurinë e tij”, thuhet në relacion.
Në draft rregullat e përgjithshme për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme për individët, si dhe llogaritja e tatimit lidhur me këtë proces parashikojnë se në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme. Në këtë rast, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së dalë nga rivlerësimi (sipas çmimeve minimale fiskale në fuqi) dhe vlerës së zbritshme.
Në rast se individi zgjedh rivlerësimin e pasurisë nga një ekspert i licencuar, baza e tatueshme, llogaritet si diferencë ndërmjet vlerës së pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë dhe vlerës së zbritshme. Në çdo rast, vlera e pasqyruar në aktin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar nuk mund të jetë më e vogël se çmimi minimal fiskal.
Sakaq për 32 zonat kadastrale të Tiranës nga muaji gushti i vitit të kaluar kanë hyrë në fuqi çmimet e reja fiskale që shënuan rritje nga 5 deri 67% krahasuar me 2018.
Ligji për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme me tatim 3% u zbatua edhe në vitin 2020. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid -19 afati i zbatimit të tij u shty dy herë dhe përfundoi më 31 dhjetor 2021, ndërsa parashikohej të mbyllej më 30 shtator 2020.
Ndryshe nga drafti i propozuar nga deputetja Gjylameti, në ligjin e mëparshme u vendos rivlerësim të pasurive të paluajtshme me tatim 3% për individët dhe 5% për subjektet tregtare.
Me ligjin e mëparshëm sipas të dhënave të Agjencisë së Kadastrës Shtetërore u kryen 56,623 aplikime për rivlerësimin e shtëpive.