Për vetëvrasjen, një nga fenomenet më të dhimbshme të shoqërisë, në Durrës regjistrohen shifra të larta.
Sipas policisë, vetëm përgjatë vitit 2023, 40 persona me moshë mesatare 45 vjeç kanë ndërmarrë aktin ekstrem të vetëflijimit.
Një shifër që sipas ekspertëve i atribuohet problematikave sociale dhe atyre të shëndetit mendor.
“Kjo mund të jetë e lidhur me një problematikë të shëndetit mendor, e cila mund të jetë e patrajtuar apo e neglizhuar nga vetë individi apo të tjerë rreth tij.
Përpos kësaj mund të kemi edhe përballjen me mjë situatë traumatike që mund t’i ndodhë individit në një moment të jetës, siç mund të jetë humbja e vendit të punës, frika dhe pasiguria për fëmijët”, thotë për “DurrësLajm” Adisa Teliti, eksperte e shëndetit mendor.
Këmbana e alarmit po bie për rrjetet sociale, si “mina me sahat” që rëndojnë problemet e shëndetit mendor.
“Mendimi i tjetrit, apo mënyra sesi individët e tjerë mendojnë rreth teje ndikon shumë në mënyrën sesi zhvillohet koncepti i të menduarit.
Në këtë aspekt, influenca e rrjeteve sociale është shumë e madhe tek individët, kjo sepse nuk arrijnë dot të bëjnë një selektim të informacioneve të marra”, sqaron Teliti.
Prandaj, ndërsa jetojmë një kohë kur shoqëria po jeton më shumë në botën virtuale sesa në atë reale, ekspertja ka një apel:
“Është shumë e rëndësishme në këtë situatë që të ndërgjegjësohemi për të kërkuar ndihmë, e para. E dyta, të jemi të kujdesshëm në mënyrën sesi e përcjellim informacionin. Media të mos i japë kaq shumë rëndësi modeleve negative, por të shfaqë modele pozitive, ato pafund raste të cilat edhe pse kanë pasur mendime për t’i dhënë fund jetës, ja kanë dalë mbanë.”
2 vetëvrasje janë regjistruar vetëm në këtë fillim-viti në qytetin e Durrësit.
41-vjeçarja nga Sukthi, Bedrie Loka konsumoi fostoksinë pas depresionit të shkaktuar nga videot denigruese në “Tik-Tok”, ndërsa nën-komisari Arben Pjeçi vrau veten me armën e shërbimit pas njoftimit për pezullim nga puna.
K.Gj.





