“Të gjithë burrat e jashtëzakonshëm në aktivitet filozofik apo politik, artistik apo letrar, kanë një karakter melankolik, disa aq shumë saqë janë prekur nga gjendje patologjike që rrjedhin nga ai”. Kështu shkruante Aristoteli në shekullin e III para Krishtit, duke theksuar përhapjen e madhe të “melankolisë” (depresionit) tek poetët, artistët dhe politikanët, pra “kategoria mendimtare” e shoqërisë. Dhe filozofi latin Lucio Anneo Seneca, që u vetëvra, konfirmonte se: “Qui auget scientiam, auget et dolorem” (“Kush rrit dijen e tij, rrit edhe vuajtjen e tij”), një mënyrë e bukur për të thënë se budallenjtë dhe injorantët jetojnë më të lumtur sesa inteligjentët dhe të diturit.
Të ngushëlluar nga këto konsiderata të mendjeve më të ndritura të antikitetit klasik, besoj se, dhjetë ditë nga vdekja e Ardian Klosit, ia vlen të kërkohen arsyet që shtyjnë një qenie njerëzore, dhe në këtë rast një intelektual të nivelit të lartë, të vetëvritet në mënyrë kaq tragjike. Kam frikë se debati do shuhet tepër shpejt dhe se shoqëria shqiptare do të harrojë çfarë ndodhi, kam frikë se një ngjarje kaq e rëndë “do të tretet” dhe metabolizohet si episod kronike i radhës. Kam frikë se njerëzit nuk do të flasim më për këtë, sepse “është keq të flitet shumë për të vdekurit dhe të vetëvrarët”, ose sepse zgjedhja e Ardian Klosit gjykohet sipërfaqësisht si “një akt çmëndurie” apo “dobësie”, ose sepse refleksioni mbi tema të thella të jetës dhe të realitetit është parë si një “sjellje negative” – ndërsa thashethemet nëpër kafe apo kalimi i kohës duke shikuar ndeshje futbolli është një “sjellje pozitive”, madje, është e vetmja sjellje “e drejtë”.
Mendimi kritik e tremb një popull që, për të mbajtur identitetin e tij, ka nevojë të qëndrojë kompakt, qoftë në zakone qoftë në mentalitet. Dhe kështu intelektualët kritikë si Klosi shpesh janë keqkuptuar nga publiku dhe pothuaj janë izoluar nga pjesa tjetër e tufës (e cila i frikësohet deleve rebele) për të shmangur që mendimet e tyre “negative” nuk do të infektonin shoqërinë e lumtur shqiptare. Mjafton të lexohen komentet e dhunshme të shprehura në burracakërinë anonime të forumeve në internet, që vrasin me gur – në traditën e Lindjes së Mesme – opinionistë “jo komodë” si Fatos Lubonja, Ardian Vehbiu dhe vetë Klosi. Injoranca, cektësia dhe kualunkuizmi pretendojnë të gjykojnë dhe t’i mbyllin gojën kujt kalon kohën duke lexuar, duke studiuar dhe sidomos duke u përpjekur të kuptojë realitetin që na rrethon.
Është e vështirë, për cilindo që nuk ka vuajtur kurrë nga depresioni, të kuptojë sensin e fjalëve të fundit të Ardian Klosit: “Nuk mundem më!”. Është e vështirë, për cilindo që është mirë (apo të paktën vetëbindet se është mirë!), të imagjinojë çfarë shkrepet tek një person në të cilin intensiteti çjerrësi dhimbjes së brendshme kapërcen forcën e instinktit jetësor. David Foster Wallace, shkrimtar amerikan që është vetëvrarë në vitin 2008, ka arritur të shpjegojë me fjalë të thjeshta, me njëshembull “popullor”, gjendjen shpirtërore të kujt ndërmerr gjestin ekstrem: “Njeriu në të cilin agonia e padukshme e “të Jesh” arrin një nivel të padurueshëm vetëvritet pikërisht si një njeri i zënë në kurth nga një zjarr, që hidhet nga një pallat nën flakë. Terrori i rënies nga një lartësi e madhe është i njëjtë me atë që do të provonit ju apo unë duke vështruar boshllëkun poshtë dritares, por këtu variabël është një tjetër terror, ai i zjarrit: kur flakët janë afër, të vdiset për një rënie bëhet më pak e tmerrshme prej dy terroreve. Nuk ka një dëshirë të vërtetë për t'u hedhur, por është terrori i flakëve që shtyn për ta bërë. Do të duhej të provohej me qenë në kurth dhe të ndiheshin flakët për të kuptuar një terror shumë më të madh se ai i rënies”. Pra, për disa persona fatkeq, jeta duket më e tmerrshme sesa vdekja dhe vazhdimi i të jetuarit do të ishte si të liheshin të përpiheshin dalngadalë nga flakët.
Depresioni dhe instinkti i vetëvrasjes si shenja evolucioni dhe gjenialiteti?
Kafshët nuk vetëvriten. Përkundrazi, kanë një instinkt vetëruajtje që i shtyn të vrasin specie të tjera apo anëtarë të vetë grupit vetëm e vetëm për të mbijetuar. Në fakt, flitet pikërisht për “instinktin kafshëror”. Megjithatë, disa studiues kanë zbuluar se majmunët – kafshët më afër me “Homo sapiens” në shkallën e evolucionit – vuajnë nga depresioni tamam si qeniet njerëzore dhe kalojnë gjendje melankolike që shkaktojnë një bllokim të instinktit të vetëruajtjes dhe deri edhe vetëvrasjen. Disa shimpaze, me vdekjen e prindërve dhe fëmijëve, bien në gjendje depresioni shumë të thellë saqë refuzojnë ushqimin. Madje, studimi i majmunëve “Rhesus” ka treguar se në çdo grup, një mesatare prej 20% e individëve bien në depresion pas vdekjes së të afërmve dhe partnerëve ose kur humbin statusin e vet në hierarkinë sociale (për shembull anëtarët më të moshuar apo meshkujt e mundur dhe nënshtruar nga meshkujt e tjerë). Disa shkencëtarë hipotizojnë se depresioni përfaqëson një lloj “vetëmbrojtjeje” e krijuar nga natyra për t'i lejuar individit të peshojë situatën dhe të mbledhë forcat për të reaguar pozitivisht. Depresioni do të ishte në fakt “ana e errët” e një tipi personaliteti që, në kushte normale, rezulton dominues: jo rastësisht, majmunët më të predispozuar ndaj depresionit janë edhe ata që shpesh përfundojnë në arritjen e pozitave hierarkike më të larta brenda grupit të tyre.
Në kulturat antike (babiloneze, egjiptiane, hebraike) gjenden përshkrime të lëkundjeve të karakterit që sot do t'i ishin lidhur depresionit, por në atë kohë i vihej faji forcave mbinatyrore dhe ishin konsideruar si një formë dënimi nga perënditë. Në shekullin e IV para Krishtit, mjeku grek Hipokrati i hodhi poshtë këto interpretime etiko-fetare dhe shpiku termin “melankoli” (depresion), duke fajësuar efektin e “vrerit të zi” mbi trurin (nga greqishtja: “mèlas” = i zi ; “kholè” = vrer) dhe duke nënvizuar ciklin stinor të kësaj sëmundje. Studime të thelluara mbi “shfaqjet melankolike” u kryen nga mjekë e filozofë të tjerë grekë e romakë, por qëndrimi shkencor i epokës antike u braktis në Mesjetë kur, nën influencën e shkollës arabe të Avicenna (980-1037 pas Krishtit), për çregullimet psikike i vihej faji edhe një herë shkaqeve magjike dhe fetare. Melankolia rifilloi të ishte gjykuar nga pikëpamja morale dhe nuk qe konsideruar më si një sëmundje, por si një faj, një mëkat, një pushtim nga shejtani, për t'u dënuar me djegie në turrën e druve në vendet krishtere dhe me goditje me gurë në botën islamike.
Në shekullin e XVI, në sajë të veprës së mjekut belg Andreas von Wesel, iu rikthye shqyrtimit objektiv të gjendjes psikike të pacientëve dhe inkuadrimit shkencor të formave të ndryshme të depresionit. Nën influencën e Aristotelit dhe të binjakërisë midis “gjenialitetit dhe melankolisë”, në këtë periudhë u bë modë shfaqja snobiste e karakteristikave lidhur me temperamentin melankolik, si nevrikosja, paqëndrueshmëria e karakterit dhe ecentrizmi. Në “Jetët e artistëve”, Giorgio Vasari gjykonte si “normale” melankolinë e mjeshtrave të mëdhenj dhe është konfirmuar seRaffaello ishte “melankolik, si të gjithë njerëzit e sojit të tij”, ndërsa Michelangelo pohonte se “lumturia ime është melankolia”. Dhe në shekullin e XIX, epoka e Romanticizmit europian,Victor Hugo përsëriste se“melankolia është lumturia për t'u ndjerë të trishtuar”. Në fakt, filozofia idealiste gjermane ngrinte lart arratisjen nga realiteti dhe kënaqësinë për jozakonshmërinë në ndjenjë dhe në vuajtje, aq sa mendonte se arti mund të burojë vetëm nga sëmundja mendore. Depresioni dhe çrregullimi i artistëve dhe shkrimtarëve u bë një formë proteste kundër sistemit të shoqërisë, një shenjë gjenialiteti rebel kundër jetës borgjeze “të shëndoshë”. Marcel Proust arriti të deklarojë se “gjithçka që është e madhe në botë e kanë bërë nevrikët”, ndërsa Thomas Mann lavdëronte vuajtjen “sepse përsos njeriun dhe e bën inteligjent dhe të jashtëzakonshëm”. Kjo ide ka mbetur dominuese në mendimin dhe në shoqërinë e sotme.
Të mësohet të duash veten – edhe në depresion!
Në Shqipëri, depresioni ka ekzistuar gjithmonë: varfëria, rreptësia e rregullave klanore dhe shtypja femërore sigurisht nuk e kanë ndihmuar këtë shoqëri të ballafaqohet buzëgaz me jetën. Megjithatë, dëshpërimi kurrë nuk është shprehur hapur për shkak të obligimit social për të paraqitur familjen dhe ekzistencën e vet si perfekte në sytë e botës. Për më tepër, feja islame konsideron depresionin si një mungesë e rëndë besimi dhe mbështet se personat depresivë janë të “influencuar nga xhindet”. Përsa i takon vetëvrasjes, Islami e dënon (ashtu si edhe fetë e tjera) si një akt rebelimi kundër Zotit dhe kundër dhuratës së shenjtë të jetës, për të cilën vetëm Ai mund të vendosë: vetëvrasja shihet si një gjest i rrezikshëm i “vullnetit të lirë” nga ana e qenies njerëzore, që në rast të tillë mohon nënshtrimin e saj ndaj Zotit. Një vers i Surës së katërt të Kuranit (“al-Nisa”, “gratë”) paralajmëron: “Mos vrisni veten, padyshim që Allah do të jetë më i mëshirshëm me ju” (4:29). Dhe një Hadith pohon se “Kush kryen vetëvrasje me varje, do të vazhdojë të varet në Zjarr (Ferr), dhe kush kryen vetëvrasje me thikë, do të vazhdojë të theret në Zjarr”. Në përgjithësi, vetëvrasja është konsideruar “haram” dhe kaq mjafton për të dekurajuar popullin për ta bërë.
Megjithatë, pas shekujsh bindjeje ndaj normave klanore dhe islamike, në Shqipërinë post-komuniste depresioni ka shpërthyer në mënyrë të heshtur, duke kulmuar shpesh në fenomenin e vetëvrasjes, protesta më dramatike kundër fatit. Në fakt, shumë vetëvrasës nuk dëshirojnë me të vërtetë vdekjen: “Vetëvrasësi dashuron jetën dhe është vetëm i pakënaqur nga kushtet që i kanë rënë për pjesë”, shkruante filozofi i madh i Romanticizmit, Arthur Schopenhauer. Në këtë kuptim, edhe depresioni është një formë dashurie e jetës, një dashuri kritike që rrjedh nga sensibiliteti i thellë i individit dhe nga vështirësia e tij për t'iu përshtatur një realiteti që e konsideron “jo perfekt”.
Shkaqet e depresionit janë akoma sot pak të qarta. Në vitet Pesëdhjetë, gjatë bumit të industrive farmaceutike, u provua të dallohej një shkak biologjik, me qëllim për të kuruar depresët me doza të bollshme psikoilaçesh. Por rezultatet flasin vetë: të shkretët Klosi dhe Wallace ishin në terapi farmakologjike prej vitesh… Megjithatë, ekzistojnë forma trashëgimie (76% e depresivëve ka një prind që paraqet shqetësime të karakterit) dhe tipe të tjerë depresioni fiziologjik, si ai i adoleshentëve që përballen me kalimin në moshën e rritur; depresioni i të moshuarve të cilët duhet të durojnë rënien fizike; depresioni nga menopauza dhe ai “post-partum” – eksperienca për të cilat në Shqipëri flitet shumë pak, ndoshta sepse do të ishte “turp” ose “do të sillte fatkeqësi”…
Përgjithësisht, depresioni është i lidhur me ngjarje negative të jetës – mbajtja e zisë, divorci, heqja nga puna, falimentimet, zhgënjimi nga ana e fëmijëve – dhe prek dyfishin e femrave në krahasim me meshkujt. Lind dyshimi se meshkujt, duke patur më shumë liri dhe mundësi për argëtim, arrijnë të shmangin melankolinë, ndërsa femrat, të burgosura nga detyra sociale dhe familjare, janë të dënuara për të vuajtur. Prandaj mund të thuhet se depresioni dhe instinktet vetëvrasëse rrjedhin nga një sens burgimi brenda një jete jo të kënaqshme dhe se i vetmi shërim është çlirimi apo të paktën “katarsi”. Autorë të mëdhenj si Goethe, Foscolo, Alfieri, Leopardi, shkruanin poezi dhe romane për nder të vetëvrasjes (duke e quajtur “akt heroik”), por vdiqën të gjithë nga pleqëria ose nga sëmundjet: pra arritën të zhvendosnin tek letërsia tendencat e tyre vetëvrasëse, duke shpëtuar veten. E njëjta gjë vlen edhe për artistët, që në sajë të melankolisë së tyre rrokin aspekte të jetës që nuk shihen nga individë më “të lumtur”, duke i dhënë fuqi krijuese veprave të tyre. Në përgjithësi, depresioni shtyn në perfeksionizëm dhe në revizionin kritik të vazhdueshëm të çdo proçesi krijues dhe të punës.
Pra melankolia i dhuron atij që e prek disa cilësi të jashtëzakonshme, nga talenti krijues tek serioziteti në punë – cilësi që depresët do duhej t'i vlerësonin maksimalisht. Dhe mbi të gjitha, në një shoqëri si ajo shqiptare, rruga e daljes nga depresioni është pohimi i lirisë individuale. Të rinjtë do të duhej të kishin kurajon të pranonin se jo të gjithë janë gatuar për martesë, jo të gjithë janë gatuar për të krijuar familje, jo të gjithë janë gatuar për të ndjekur rregullat sociale të vendosura nga të tjerët dhe për të jetuar vetëm “për respekt” të të tjerëve: dashuria për zgjedhjen e lirë është treguesi i parë dhe themelor i dashurisë për vetveten.
“Të gjithë burrat e jashtëzakonshëm në aktivitet filozofik apo politik, artistik apo letrar, kanë një karakter melankolik, disa aq shumë saqë janë prekur nga gjendje patologjike që rrjedhin nga ai”. Kështu shkruante Aristoteli në shekullin e III para Krishtit, duke theksuar përhapjen e madhe të “melankolisë” (depresionit) tek poetët, artistët dhe politikanët, pra “kategoria mendimtare” e shoqërisë…