Shpesh depresionin e lidhim me probleme sociale apo emocionale të individëve të prekur nga kjo sëmundje.
Por një gjendje të lehtë, të moderuar apo të rëndë depresive mund ta shkaktojë edhe ndryshimi i stinës.
Mungesa e dritës natyrore, ulja e temperaturave etj ndikojnë tek shumë individë duke reduktuar aktivitetin fizik dhe shtuar apatinë dhe përgjumjen. Kjo bën që ata të preken nga ai që në terminologjinë mjekësore njihet si depresioni stinor. Psikologia Hilda Goda rekomandon të tregohemi të kujdesshëm për të dalluar këto lloje të ndryshme depresioni.
“Më parë se ne specialistët e shëndetit mendor t’i bëjmë me dije një individi se vuan nga depresioni stinor, duhet të kuptojmë nëse ka pasur më parë simptoma të tilla. Nëse ka pasur simptoma të tilla më parë, gjendja aktuale e tij nuk ka të bëjë me depresionin stinor”,- thotë psikologia Goda për “DurrësLajm”.
Moshat e mesme janë më të prekura nga depresioni stinor, i cili mund të shfaqet me simptoma të lehta, të moderuara, të rënda dhe shumë të rënda.
Nëse dy simptomatologjitë e para mund të trajtohen dhe kurohen përmes psikoterapisë së shkurtër me 4-6 seanca me një mjek specialist, njëkohësisht duke u angazhuar në aktivitete fizike në natyrë, simptomat e rënda kurohen me medikamente.
“Në rastet kur kemi simptomatologji të rënda që lidhen kryesisht me problematikat me gjumin, uljen e oreksit, produktivitetin në punë, dëshirën për të mos shkuar në punë apo kemi të bëjmë me një njeri të mbyllur në vetvete duhet kuruar me farmakoterapi, që e jep mjeku psikiatër”.,- thotë psikologia.
Depresioni stinor shfaqet vetëm gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit dhe zhduket në mënyrë spontane.
M.B.