30 dhjetor 2013 – Një grup deputetësh demokratë, kanë vizituar në paraburgimin 302 kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziun. Deputeti Aldo Bumçi, e ka cilësuar arrrestimin e Mziut politik, dhe të rrethuar nga shkelje ligjore. "Ne erdhëm sot një grup deputetësh për të vizituar kryetarin e Bashkisë së Kamzës, z Xhelal Mziu dhe dëshirojmë të shprehim vullnetin tonë që në fillim për të respektuar shtetin ligjor dhe për të mos ndërhyrë në çështjet e drejtësisë.
Por në të njëjtën kohë, ne shprehim shqetësimin tonë se që në krye të herës, se ky proces ka treguar dëshmi për ndërhyrje politike, për të manipuluar drejtësinë. E para, ka qenë një shkelje flagrante e ligjit me masën e sigurisë për burgim me arrest dhënë në mungesë, kur z Mziu ishte në zyrën e tij. Normalisht duhej të thirrej në gjykatë kur trajtohej çështja. Pra ky proces ka nisur me një shkelje të rëndë të ligjit, sepse personi nuk ka qënë i thirrur në gjykatë kur u vendos masa e sigurisë.
Kjo është shkelja e parë e rëndë. E dyta, kemi vendosjen e një mase të skajshme. Arrest me burg është një masë ekstreme. Duke marrë në konsideratë të gjitha rrethanat, fakti që z Mziu është i zgjedhur për të dytën herë radhazi, nga qytetarët e Bashkisë Kamëz, por edhe nga rrethana të tjera, pra kemi të bëjmë me një masë aspak proporcionale. Fakti i tretë, për raste të tjera të ngjashme për kryetar bashkish apo kryetar komunash, kemi masa të tjera sigurie si hetim në gjendje të lirë. Për z Mziu kemi një masë tjetër. Pse ligji nuk zbatohet me të njëjtin standart ?! Pse kemi dy standarte ?! Dy standarte ka vetëm, ky ka vullnet për ndërhyrje politike. Por më e rëndë se këto shkelje flagrante të ligjit është fushata e paprecedentë, denigruese që u ndërmor kundër familjes së z Mziu, kundër bashkëshortes së tij.
Në të njëjtën kohë kur në media jepej lajmi që kryetari i Bashkisë Kamëz është arrestuar me një masë të dhënë në mungesë, në të njëjtën kohë mediat dhe opinioni publik informohej që ka një kallëzim penal ndaj bashkëshortes. Një lajm i pavërtetë. Në media u informua se është gjetur flori në argjendarinë e zonjës Mziu, një lajm tjetër i rremë. Në media u tha që është gjetur një vulë e KZAZ-së së Kamzës, një e pavërtetë tjetër. Pyetje është e thjeshtë; pse u ndërmor kjo fushatë denigruese që donte të manipulonte opinionin publik e të linçonte një familje?!
Kjo na kujton kohët e errëta të diktaturës kur ndërmerrej një fushatë denigruese kundër një familje, në mungesë të respektit të çdo ligji dhe morali. Pra e ngjashme me kohët më të errëta të Shqipërisë. Partia Demokratike është e vendosur të respektojë shtetin ligjor dhe do të kërkojë që të gjithë ata që kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin të dalin para drejtësisë. Drejtësia mund të vonojë, por drejtësia do të vendoset. Ata që kanë orkestruar dhe frymëzuar këtë fushatë të paprecedentë që do të shkatërrojë një familje, individë e të manipulojë opinionin publik, po luajnë me zjarrin".





