Deputetët e PD për qarkun Durrës, Igli Cara dhe Manjola Luku kanë qenë ditën e sotme në zonat e përmbytura nga dalja e lumit Erzen.
Ndërsa kanë parë nga afër situatën në zonën e Sukthit dhe rrugën e Perlatit, deputeti Cara thotë se hidrovori i Hamallajt është jashtë funksionit dhe kjo tregon sipas tij papërgjegjshmërinë e madhe të të gjithë institucioneve të pushtetit lokal, por edhe atij qendror.
Deputeti Cara kërkoi ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve, pasi situata është kritike dhe nëse reshjet do të vijojnë, situata pritet të përkeqësohet edhe më tej për banorët dhe bizneset e zonës.





