PRISHTINE– Komisioni parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri nuk i ka dhënë mbështetje në parim Projektligjit për përgjimet, sikundër që nuk ka rekomanduar që i njëjti t’i kthehet Qeverisë për ripunim. "Anëtarët e këtij Komisioni, me sugjerim edhe të kryetarit, Ahmet Isufi, kanë kërkuar që fjalën e tyre për projektligjin ta japin, pasi ta kenë analizuar atë më në hollësi",- raporton Koha Ditore.
Shtyrja e shqyrtimit të Projektligjit për vitin tjetër është bërë me arsyetimin se përmbajtja e tij është shumë e ndjeshme dhe se çfarëdo nxitimi në interpretim mund të ndikojë negativisht në procesin e harmonizimit të një ligji të pranueshëm për rrethanat e Kosovës.
“Ky projektligj duhet të studiohet më shumë, në mënyrë që ta kemi konstatimin e plotë si komision se a do ta aprovojmë në lexim të parë apo ta kthejmë në Qeveri. Dhe për ta marrë një vendim të tillë, neve na duhet edhe pak kohë”,- ka thënë Isufi. Me këtë gjë kanë rënë dakort edhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni.