Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vijuar vizitën zyrtare në Parlamentin Europian.

Lajmi është bërë i ditur nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi përmes një postimi në rrjete sociale.

Ai njofton se së bashku me deputetët Flamur Noka, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj dhe Albana Vokshi, janë takuar me eurodeputetët e grupit parlamentar të “Konservatorëve dhe Reformatorëve Europian” (ECR).

Sipas tij ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për t’i informuar mbi të gjitha shqetësimet e tyre, lidhur me gjendjen e demokracisë në vend dhe sfidat madhore që duhen kapërcyer në rrugën e integrimit në BE.

“Gjatë vizitës në Parlamentin Europian patëm mundësinë për një seancë dëgjimore me përfaqësues të grupit parlamentar të “Konservatorëve dhe Reformatorëve Europian” (ECR).

Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për t’i informuar mbi të gjitha shqetësimet tona për gjendjen e demokracisë në vend, duke theksuar sfidat madhore që duhen kapërcyer në rrugën e integrimit në BE.

Shqipëria, si vend kandidat për në BE, e ka jetike të respektojë parimet themelore në qeverisje. Cënimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përmes keqpërdorimit të burimeve shtetërore nga partia në pushtet, përdorimi i parave të korrupsionit, bashkëpunimi me krimin e organizuar deri në pikën e caktimit prej tij të kandidatëve për deputetë, tentativa për asgjësimin e opozitës përmes burgosjes politike të lidershipit, mosrespekimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e largojnë edhe më shumë Shqipërinë nga rruga europiane.

Me miqtë europianë bashkëndamë qëndrimin se është emergjente që Shqipëria të përqëndrohet në reformat kritike të nevojshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke përfshirë sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, shkruan Bardhi.