TIRANE, 19 shkurt 2013 – Grupi parlamentar i PD-së pritet të ndryshojë pas 23 qershorit, pasi në listën e kandidatëve për deputetë do të hyjnë emra të rinj që konkurrojnë për herë të parë në zgjedhje. Njëri prej tyre mësohet të jetë ish-kreu i KQZ-së, aktualisht zëvendësministër i Brendshëm, Arben Ristani, hyrjen e të cilit në politikë e paralajmëroi vetë kryeministri Berisha pak kohë më parë. Burime për “GSH” konfirmojnë se z.Ristani do të garojë në Tiranë dhe pikërisht në zonën e “Kombinatit”.
Në listën e PD-së pritet të ketë edhe ish-themelues të saj, të larguar prej vitesh nga jeta politike aktive. Eduart Selami është njëri nga figurat kyçe të PD-së gjatë periudhës së mandatit të parë qeverisës. Ish-kreu i PD-së pritet të konkurrojë në qarkun e Tiranës, ndërkohë që vetë Selami ka shprehur publikisht rikthimin e tij në PD, duke mos mohuar edhe garën për deputet më 23 qershor. Po ashtu, mësohet se në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së do të jetë edhe shefi i kabinetit të kryeministrit Berisha, eksperti ligjor i PD-së, Oerd Bylykbashi. Burimet sqarojnë se Bylykbashi do të jetë në listën e kandidatëve në qarkun e Durrësit, por nuk përjashtohet mundësia e kandidimit në qarkun e Elbasanit. Kryeministri Berisha pritet të kandidojë të tjerë emra të rinj, si prurje të reja të PD-së, gjë që pritet të sjellë ndryshime rrënjësore të grupit aktual parlamentar të PD-së.
Ndryshe nga kreu i PS-së, Edi Rama, lideri i mazhorancës, Sali Berisha ende nuk ka prezantuar asnjë kandidat të PD-së, madje duke e lënë prezantimin e tyre në limitet ligjore, siç ka ndodhur zakonisht sa herë që vendi ka zgjedhje. Me këtë praktikë, Berisha duket se do të mbajë entuziast grupin e tij parlamentar deri në momentet e fundit të mandateve aktuale. Gjithsesi, gjatë mbledhjes së djeshme me grupin kuvendor të PD-së, Berisha këshilloi deputetët e tij që të dëgjojnë me interes çdo ankesë të qytetarëve, ndërsa u shpreh se gjatë takimeve me qytetarët do të dëgjojë mendimet dhe kritikat e tyre në çdo zonë të vendit. “PD, me këtë bashkëbisedim, dialog me qytetarët, qëllimi më madhor është pasurimi i programit tonë. Shndërrimi i tij synon t’u përshtatet e përgjigjet interesave të qytetarëve. Natyrisht, nuk mund të plotësosh çdo interes personal. Por interesat kryesore mund dhe do të plotësohen. Ju duhet t’i përcillni ato ankesa që të gjitha, në mënyrë që të shqyrtohen në sensin më pozitiv. Sepse mundësia është. Qytetarët e kanë të qartë që ne mbajmë premtimet tona. Kjo është motoja jonë. Ne mbajmë premtimet tona”, – deklaroi z.Berisha. Kryeministri shtoi më tej se kundërshtari Edi Rama është në hallin e tij më të madh, si dhe në ditën e tij më të vështirë.