TIRANE, 26 prill 2013 – Një grup deputetësh demokratë depozituan në Kuvend gjatë ditës së sotme kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor, i cili pritet të hedhë dritë mbi incidentin e ndodhur mes kryetarit të opozitës Edi Rama dhe diplomatit Egin Ceka në Vjenë. 

Një ditë më parë, gjatë seancës plenare të së enjtes, kryeministri Berisha kërkoi ngritje e një komisini hetimor për të zbardhur atë që ai e cilësoi dhunë shtazore dhe rrugaçëri.

Ndërkohë në replikën e tij me kryeministrin kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i bëri thirrje Berishës të shkarkojë diplomatin Egin Ceka nga Misioni i Shqipërisë në OSBE.

Po gjatë ditës së djeshme, në një letër të hapur për liderin socialist, Neritan Ceka, babai i diplomatit të përfshirë në incidentin me Ramën, i drejtohej Ramës duke i bërë thirrje që t’i kërkonte falje familjes Ceka dhe diplomatëve shqiptarë në vende të ndryshme të botës.

/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/