TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike kanë depozituar sot në Kuvend kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Fidel Ylli për shkak se ata pretendojnë se, ai ka shkelur nenin 70 të Kushtetutës. 

Deputetët kërkojnë që Kuvendi ta cojë cështjen e papajtueshmërisë me detyrën në Gjykatën Kushtetuese. 

Në kërkesën e tyre thuhet se deputeti socialist ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje, në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet, me vendim të KQZ-së, që në gusht të këtij viti. Siç përcakton ligji, frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike. 

"Kushtetuta thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. Pas katër muajve, në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009",- thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë.

Sipas deputetëve të PD-së, rasti i deputetit Fidel Ylli është i ngjashëm me atë të ish-kolegut të tij, Ilir Beqja.