Tiranë, 17 qershor 2014 – Deputetët e PD-së në Komisionin e Ligjeve reduktojnë kompetencat e ministrit Tahiri në ligjin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Me propozim të deputetit Bashkim Fino, i mbështetur edhe nga kryetari i Komisionit Fatmir Xhafaj dhe relatorja Ermonela Felaj, struktura e re e SHKB-së do të miratohet nga Kryeministri dhe jo nga ministri i Brendshëm, siç ishte në variantin fillestar të projektligjit.
“Meqenëse thonë se struktura nuk ndryshon, por mund të ndryshojë individi që Bashkimi është në këtë degë dhe me urdhër ministri shkon në një degë tjetër për një çështje pune tjetër, unë mendoj se duhet bërë siç propozojmë ne. Struktura dhe organika, me propozim të ministrit, e miraton Kryeministri. Brenda për brenda strukturës se si e përcaktoni ju është çështja e ministrit. Ky është parim për të gjitha drejtoritë e përgjithshme. Nuk e kuptoj pse kjo drejtori duhet të propozohet dhe firmoset vetëm nga një njeri”,- tha Fino, teksa shtoi se nëse propozimi i tij nuk do të pranohet, do ta paraqesë në seancë.
Në të njëjtën linjë ishte edhe relatorja Felaj, e cila tha se duhet të jetë Kryeministri ai që duhet të miratojë strukturën e SHKB-së.
Kreu i SHKB-së, Arben Skëndo, argumentoi: “Ne kemi shpjeguar që gjithë korniza e strukturës së Shërbimit ku bëjnë pjesë fondi limit i punonjësve, tabela e pagave, ekuivalentimi i gradave, nivelet dhe funksionet, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kontrolli makro është i plotë. Bëhet fjalë për strukturën e cila në një moment të caktuar, në bashkëpunim me prokurorin, bën lëvizje, por jo shkurtime”.
Relatorja Felaj rrëzoi edhe një nga risitë e këtij projektligji, hetimin e pasurive të pajustifikueshme të policive. Ajo tha se kjo është një kompetencë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
/gazeta “Panorama”/





