TIRANE, 16 tetor 2013 –Kryeministri Edi Rama kërkoi nga deputetët e Vlorës që të shikojnë me prioritet në punësime të gjithë ata që kanë kontribuuar për fitoren e PS-së. 

Në një takim, që ai ka pasur ditën e hënë pasdite, me grupin e deputetëve të qarkut të Vlorës, bashkë me prefektin e ri, Besnik Dervishi, Rama ka diskutuar për problemet e qarkut. Deputetët mësohet të kenë shprehur shqetësimin për punësimin e shumë prej atyre militantëve apo qytetarëve vlonjatë që kontribuuan në fushatën për zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas atyre që mësohet se janë thënë në takim, “ka nga ata njerëz që sot vuajnë për bukën e gojës, që s’kanë asnjë familjar në punë, ndaj duhet menduar për ata njerëz”, mësohet të jenë shprehur deputetët e Vlorës, gati në një mendje të gjithë. 
Të njëjtat burime sqaruan se kryeministri Rama ka dhënë porosi që “të mos shkarkohen nga puna njerëz që e meritojnë ta kenë atë vend pune, pavarësisht nëse kanë qenë edhe në kohën kur qeveriste PD-ja”. Por nga ana tjetër, mësohet të ketë thënë Rama “të mos hezitohet për të shkarkuar të gjithë ata që nuk e meritojnë atë vend pune ku janë”. “Të gjenden njerëzit më të mirë dhe më të aftë”, është shprehur kryeministri e njëherësh, deputet i qarkut të Vlorës, në këtë takim. 

“E nëse këta njerëz përkojnë edhe me ata që kanë kontribuuar në fitoren e PS-së, atëherë ata të kenë prioritet”, është shprehur kreu i qeverisë. Ndërkaq, do të jenë vetë deputetët dhe prefekti që do të hartojnë listën e vendeve të punës, që fillin me drejtoritë rajonale, me agjenci të ndryshme, me portin e Vlorës që është e një niveli nacional, etj., për të vlerësuar më pas, në një moment të dytë se cilët njerëz do të vendosen në këto funksione. Mësohet se Rama nuk ka ndërhyrë aspak në emrat e atyre që duhet të punësohen, por ua ka lënë në dorë vetë deputetëve dhe prefektit. Vlora është vetëm një nga qarqet, për të cilët është diskutuar këto ditë në zyrën e Kryeministrisë mes Ramës dhe deputetëve përkatës. Kështu është folur për të njëjtën tematikë edhe me deputetët e qarkut të Shkodrës, ata të qarkut të Beratit, dy qarqet, ku është përfolur se nga ana e deputetëve ka pasur shumë kundërshti për mënyrën se si po emërohen njerëzit. Në takimet e mëhershme të Ramës me deputetë, disa prej tyre janë ankuar se nuk pyeten për emërimet. Madje, ministrat nuk u hapin as telefonat, ndaj edhe janë ndier të fyer për mënyrën se si po trajtohen nga ana e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Por, po kështu, vetë Rama ka paralajmëruar pothuaj në çdo takim se kush prej deputetëve kërkon të emërojë kushërinjtë drejtora, duhet të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit, pasi ka konflikt interesi. 
Në këto takime është diskutuar edhe për situatën e rëndë ekonomike, ku është vendi. Rama u ka folur hapur deputetëve për fatura të papaguara nga qeveria e mëparshme. Për 8 vjet me radhë nuk u janë paguar restoranteve në Tiranë faturat e darkave dhe drekave zyrtare. Një shumë rreth 5 milionë euro, rezulton të jetë faturë e papaguar ndaj një kompanie celulare. Të gjitha këto pritet të bëhen publike edhe me emra konkretë, por vetëm pas raportit të auditit. 

 

http://www.balkanweb.com/politike/2775/deputetet-e-vlores-rames-duhen-punesuar-militantet-153982.html