Deputetët e Bundestagut, Peter Bayer dhe Christian Schmidt, që vizituan Kosovën thanë se “Bundestagu Gjerman është kundër shkëmbimit të territoreve”, ndërsa kërkuan vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Deputetët e Bundestagut Gjerman, Peter Bayer nga (CDU) dhe Christian Schmidt nga (CSU) të shoqëruar edhe nga ambasadori gjerman Christian Heldt, thanë në Prishtinë se Kosova dhe Serbia, duhet të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, por ata janë kundër këmbimit të territoreve. Këtë ia bënë të qartë Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi që zhvilluan të hënën me datë (01.04) në Prishtinë.
Deputeti nga radhët e CDU-së, Peter Bayer, tha se “Bundestagu gjerman është kundër shkëmbimit të territoreve”.“Ne jemi në vizitë zyrtare, por jemi me miqtë tanë. Biseduam për proceset, nëpër të cilat po kalon Kosova. Kemi folur për dialogun, të cilin e mbështesim mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për temën e këmbimit të territoreve, të cilën Gjermania e kundërshton fuqishëm. Ne do të jemi partner mbështetës i Kosovës për proceset e ardhshme, sigurisht me një sy kritik”, ka thënë deputeti Peter Bayer në një prononcimin të shkurtër për medie, pas takimit me kryeministrin Haradinaj.
Në të njejtën linjë u shpreh edhe deputeti tjetër nga radhët e CSU-së, Christian Schmidt, i cili tha “kushdo që mendon se një ide e tillë mund të jetësohet, e ka gabim, sepse, shkëmbimi i territoreve do të krijonte probleme edhe më të mëdha në rajon”.
“Falënderojmë qeverinë e Kosovës dhe popullin e Kosovës për mikpritjen që në vazhdimësi ua kanë bërë ushtarëve dhe zyrtarëve tanë. Gjermania shpreh gatishmërinë që Kosova t’i bashkohet familjes evropiane dhe po punojmë për këtë”, tha deputeti Christian Schmidt.
Të dy deputetët gjermanë, Peter Bayer nga (CDU) dhe Christian Schmidt nga (CSU) në fund shprehen gatishmërinë e Gjermanisë për vazhdimin e mbështetjes në proceset zhvillimore në Kosovë dhe rajon, që do të krijojnë një klimë stabiliteti dhe prosperiteti për të gjitha vendet e rajonit.
Haradinaj: I privilegjuar për interesin e Gjermanisë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nga ana e tij, tha se ndihet i privilegjuar për interesimin e Gjermanisë për Kosovën dhe rajonin ndërsa, tha se “qeveria e Kosovës, mbetet e angazhuar për të krijuar një ambient të qëndrueshëm paqësor në rajon dhe në bashkëpunim me të gjithë”. Haradinaj, shprehu përkushtimin ndaj procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe angazhimin për arritjen e një marrëveshjeje, që do të rezultojë sic tha “me njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve”.
“Në këtë takim biseduam për bashkëpunimin bilateral Kosovë-Gjermani, që është në progres dhe mundet me u bë shumë më shumë. Konfirmova gatishmërinë time që të thellojmë këtë bashkëpunim. Shpreha falënderim për procesin e Berlinit, i cili po e ndihmon dhe po e ruan rajonin, andaj edhe shpreha falënderimin për Gjermanin dhe kancelaren Merkel për këtë iniciativë, e cila u dëshmua me shumë interes për rajonin”, tha kryeministri Haradinaj. Ai shtoi se “Kosova dëshiron t’i bashkohet familjes europiane, përmes lëvizjes së lirë, pa viza”.
“Kosova mbetet e angazhuar në të gjitha proceset e integrimit në strukturat euroatlantike dhe pret që angazhimi i saj për të përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga Komisioni Evropian, të marrë sa më shpejt liberalizimin e vizave për lëvizjen e qytetarëve të saj në vendet evropiane. Shpresojmë në vullnetin politik të shteteve kryesore të Europës për ta përmbyllur këtë proces dhe jemi të vetëdijshëm se qeveria gjermane ka rol të madh në këtë proces”, tha kryeministri Haradinaj.
Të dy deputetët gjermanë, Peter Bayer nga (CDU) dhe Christian Schmidt nga (CSU) në Prishtinë takuan edhe kryetarin e LDK-së të Kosovës në opozitë, Isa Mustafa. Ky i fundit, në një postim në profilin e tij social në Facebook tha se “përfaqësuesit e lartë gjermanë kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre për dialogun dhe për kufijtë”, e që sipas tij liderit të opozitës Isa Mustafa përputhen në tërësi me qëndrimin e LDK-së. /DW