Kuvendi i Shqipërisë sot ka seancën e fundit, ku do të miratojë projektligjet e fundit, përpara se deputetët të marrin pushimet. Veç ligjeve në axhendën e Parlamentit, pritet të votohet edhe zgjatja deri në dhjetor e mandatit të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, që do duhet të punojë për ligjet që e bëjnë të zbatueshëm reformën.

E hëna, e shpallur ditë pushimi për administratën me vendim qeverie, do të shënojë edhe seancën e fundit të sesionit të 6 të Kuvendit të Shqipërisë, legjislatura e tetë.

Rendi i ditës së seancës ka 8 pika, mes të cilave dy marrëveshje koncesionare, ndryshime në kodin penal dhe ligji për rivlerësimin e pasurisë.

Kuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë vendimin për zgjatjen e mandatit të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, që duhet të mbyllte punën më 27 korrik.

Kuvendi do t'i shtojë kohëzgjatjen deri në dhjetor komisionit, i cili duhet të vijojë punën për 7 projektligjet që bëjnë të zbatueshëm reformën në drejtësi. Kështu:

Projektligji “Për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”;

Projektlgji “Për organet e qeverisjes të sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë”;

Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”;

Projektligji “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”;

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” ;

Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Do të diskutohet në komisionin e posaçëm, që pritet tashmë të vijojë punën me përmbajtjen  e plotë, pasi edhe opozita do rikthehet në vendet e saj, për të bërë sugjerimet përkatëse. Kjo pasi ekspertët e PD-së po punojnë prej kohësh për një paketë sugjerimesh përkatëse për ligjet e emergjencës.

Deputetët dhe ministrat marrin pushimet për t’u rikthyer, në sesionin e 7 të kuvendit, që nis të hënën e parë të shtatorit, në datën 5.