Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka folur për mediat jashtë Kryesisë së Kuvendit, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunetin, ku u shqyrtua çështja e mandatit të Olta Xhaçkës. 

Bardhi tha se deputetët e PS nuk e morën ditën e sotme vendimin pasi po presin urdhër nga kreu i qeverisë Edi Rama. 

Mes tjerash, ai theksoi se Rama po i bën mbrojtje Olta Xhaçkës duke theksuar se qëndrimi i mazhorancës hedh në erë parimet e shtetit ligjor. 

“Kushtetuta thotë që kur një 1/10 e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ngrenë një mocion sa i takon papajtueshmërisë së mandatit të një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, Kuvendit është i detyruar që ta dërgojë çështjen për shqyrtim në themel në Gjykatën Kushtetuese. Këtë ka thënë GJK dhe në vendimin për mandatin e Xhaçkës. Qëndrimi i mazhorancës hedh në erë  parimet e shtetit ligjor. 

Jam sot në këtë komunikim për të sqaruar opinionin publik mbi strategjinë që kanë deputetët e mazhorancës në këtë çështje dhe së dyti për të denoncuar mbrojtjen  politike që Rama po i bën Xhaçkës. Nuk morën dot asnjë vendim. Ata nuk morën ende sinjalin. I vetmi që mund të urdhëroj se si ata votojnë është Edi Rama”-tha ai.