Një ditë para se Parlamenti i ri shqiptar të mblidhej, Lulzim Basha bëri me dije vendimin e tij si kryetar për të përjashtuar nga grupi parlamentar Sali Berishën për shkak të vendimit të DASH që e ka shpallur “non grata”.

Një vendim i tillë solli pakënaqësi brenda Partisë Demokratike, të cilat u dëshmuan edhe sot.

Disa deputetë dolën kundër vendimit të Bashës që përjashton Berishën dhe këtë të premte e pritën ish-kryeministrin në oborrin e Kuvendit dhe më pas u ulën pranë tij në ambientet e brendshme.

Ata janë Flamur Noka, Tritan Shehu dhe Edi Paloka, bashkëpunëtorët e tij ndër vite. Kujtojmë që aktualisht  Edi Paloka është kryetari i Këshillit Kombëtar të PD dhe Flamur Noka anëtar i Kryesisë.