TIRANE, 16 shkurt 2013 – Deputetët e Partisë Socialiste paralajmërojnë kryetarin e kësaj force politike, Edi Rama, të mos diktojë personalisht listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 23 Qershorit, pasi një akti i tillë do të vuloste humbjen për herë të tretë të opozitës. Disa deputetë të PS, të cilët preferuan të qëndrojnë anonim për shkak se emri i tyre do të rrezikohej të fshihej nga lista, deklaruan se baza e PS po anashkalohet nga procesi i përzgjedhjes së kandidatëve.

Shqetësimi në selinë rozë ka nisur prej kohësh,  ndërsa reagimi publik i deputetit të Qarkut të Kukësit, Asllan Dogjani, duket se ka trazuar edhe më shumë situatën brenda partisë më të madhe opozitare pasi një pjesë e madhe e deputetëve aktual nuk e kanë të sigurt emrin e tyre në listën e deputetëve për zgjedhjet e 23 Qershorit. Sipas disa prej deputetëve, problemi i ngritur nga Dogjani nuk është thjesht problem i Qarkut të Kukësit, por mbetet prezent në të gjitha qarqet, ku baza socialiste po anashkalohet në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Një prej këtyre deputetëve shkon edhe më tej duke u shprehur se kjo situatë e krijuar do të ndikojë shumë keq në rezultatin e zgjedhjeve, pasi qytetarët nuk mund të pranojnë kandidatë të imponuar dhe jashtë vullnetit të tyre.

Po sipas të njëjtit deputet, i cili preferon të ruajë anonimatin e tij, nuk ka asnjë proces ku të pyeten qytetarët në bazë, por gjithçka vendoset në zyrën e Ramës. “Problemi i ngritur në qarkun e Kukësit do të ndikojë mjaft keq në zgjedhjet e 23 Qershorit. Unë e shoh të drejtë reagimin e kolegut tim Dogjani. Këto probleme janë prezentë në të gjitha qarqet e vendit dhe ky shqetësim po vjen gjithmonë e në rritje. Baza po anashkalohet dhe nuk po pyetet për kandidatët. Emrat që do të jenë nëpër lista vendosen vetëm në zyrën e kryetarit”, deklaroi një deputet i PS i cili nuk preferoi të bëjë publik emrin e tij.

Reagimi i Fatmir Toçit

Ndërkohë, në lidhje me shqetësimin e ngritur nga ana e deputetit të PS në Qarkun e Kukësit, Asllan Dogjani ka reaguar edhe deputeti i kësaj force, Fatmir Toçi, i cili u shpreh se në selinë rozë nuk ka asnjë shqetësim të ngritur për listat, pasi përzgjedhja do të bëhet në mënyrë transparente, demokratike dhe në përputhje me meritat. Sipas tij, ky proces nuk ka nisur ende, ndërsa në përzgjedhjen e kandidatëve nuk do të përjashtohet baza. Reagimin e Dogjanit, Toçi nuk e sheh si një problem serioz për selinë rozë para zgjedhjeve, ndërsa shprehet se gjithçka do të diskutohet në strukturat e kësaj force rreth shqetësimit të ngritur nga deputeti i Kukësit. “Ky shqetësim i ngritur nga Dogjani nuk është diskutuar ende në strukturat tona por me siguri që do të trajtohet shumë shpejt. Përzgjedhja e listave nuk ka nisur ende nëpër qarqet e vendit. Paraprakisht mund të them se do të ndiqen të gjitha procedurat transparente në lidhje me përzgjedhjen e kandidatëve nëpër lista. Baza socialiste ka zërin e saj të rëndësishëm në vendimmarrje dhe nuk do të përjashtohet nga ky proces”, u shpreh Fatmir Toçi.

Kërkesa e 250 anëtarëve

-Ne anëtarët e Partisë Socialiste të rrethit Kukës kërkojmë që të rishikohet edhe njëherë vendimi për emërimin e Skënder Ahmetit në krye të partisë Socialiste të rrethit Kukës.

-Ne nuk kërkojmë më shumë sesa na takon me statutin e Partisë Socialiste dhe rregullat e Demokracisë: Kushdo që ka dëshirë të jetë Kryetar i Partisë në Kukës të futet në zgjedhje dhe të dalë nga votat e socialistëve.

-Kjo është një gjë themelore që na çon tek bashkimi i fuqishëm i të gjithë socialistëve, na bashkon dhe na sjell fitore. Ne vetëm kërkojmë që të merret parasysh dhe dëgjohet opinioni i të gjithëve, kjo e shprehur nëpërmjet votës.

-A nuk është kjo që ne kemi luftuar gjithë këto vite për Shqipërinë, vota e lirë dhe demokratike? Ne nuk mundemi të dalim kundër vlerave tona.  personi që synon të jetë në krye të partisë duhet të fitojë besimin e anëtarëve të partisë, të gjithë atyre që kanë kontribuuar dhe kanë punuar pa lodhje e me përkushtim dhe nuk duhet të ketë frikë nga vota. Mbetemi me shpresë se do të merret në konsideratë kërkesa jonë dhe kjo do të na shërbejë ne socialistëve për të qenë më të bashkuar për një fitore ne Kukës dhe në gjithë Shqipërinë.

Rama u shtrin dorën të pakënaqurve, rikthehet Musa Ulqini

Përçarja e krijuar gjatë proceseve të shkuara zgjedhore, e pasuar me humbjen e Partisë Socialiste, duket se ka sjellë reflektim të kreu i kësaj, force Edi Rama, i cili në prag të fushatës elektorale ka nisur të rikthejë në PS një sërë figurash historike të cilat janë larguar për shkak të pakënaqësive me kryetarin. Përpos tentativave për të krijuar koalicion të gjerë, kryesocialisti Rama duket se po ndjek një strategji nëpërmjet së cilës do të rikthejë në parti njerëz me influencë në zonat e tyre elektorale, të cilët do të ndihmojnë jo pak me imazhin e tyre për të përfituar sa më shumë vota.

Ditën e djeshme burime nga selia rozë konfirmuan rikthimin e Musa Ulqinit, i cili më parë ka drejtuar Partinë Socialiste të Tiranës dhe shihet si njëri prej socialistëve me reputacion mjaft të lartë në kryeqytet, ku ai mendohet të rikthehet si kandidat i PS në zgjedhjet e 23 Qershorit. Gjatë viteve që Ulqini ka drejtuar PS në Tiranë kjo forcë ka arritur rezultate mjaft të mira në zgjedhje ndërsa afrimiteti i tij me qytetarët e Tiranës duket se do të përdoret në fushatën për zgjedhjet e 23 Qershorit. Ulqini është bërë pjesë e grupit të punës së PS i cili punon për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky lajm i përhapur është konfirmuar nga vet kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës, Saimir Tahiri. Me sa duket Ulqini dhe kreu i PS Rama kanë lënë pas pakënaqësitë dhe do të punojnë së bashku në fushatën e ardhshme elektorale.

Ish-deputeti i Tiranës, u largua dy vite më parë nga kjo forcë në shenjë pakënaqësie ndaj kryetarit Rama, ndërsa ky i fundit nuk e kishte bërë Ulqinin pjesë të listës së deputetëve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ndërkohë në lidhje me këtë rikthim, ende nuk kemi pasur një reagim të Musa Ulqinit, ndërsa nuk dihet nëse ishte vullneti i tij personal për këtë vendim apo i është drejtuar një ftesë nga kryesocialisti Edi Rama. Ulqini, u largua nga PS pikërisht për shkak të pakënaqësive ndaj Ramës me të cilin pati një sërë kundërshtish. Këto kundërshti lidhen me çështjet e organizimit të brendshëm të selisë rozë. 

Marrë nga sot.com.al