Në vijim të turit, “Bashkëqeverisja me njerëzit”, deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste në qarkun Durrës, z. Rolant Xhelilaj dhe znj. Klodiana Spahiu, u ndalën në lagjen numër 15 ku u takuan me banorët e kësaj lagjeje.
Deputetja Spahiu i cilësoi bashkëbisedimet me qytetarët si një mënyrë e re komunikimi me njerëzit e cila nuk ka ndodhur më herët.
“Kjo mënyrë për të kontaktuar me njerëzit, pas fushate, është një risi që në fakt nuk ka ndodhur herë të tjera dhe mendoj që është gjëja më pozitive dhe më e domosdoshme që ai pushtet që morëm dhe ajo fitore aq e thellë e Partisë Socialiste të kthehet në realitet nga shtatori e tutje”, deklaroi Spahiu.
Nga ana e tyre, banorët shprehën shqetësimin e tyre përsa i përket furnizimit me ujë të pijshëm. Këtij shqetësimi ju përgjigj deputeti Xhelilaj i cili theksoi se tashmë ky problem ka hyrë në rrugën e zgjidhjes dhe shumë shpejt qyteti i Durrësit do të ketë një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm.
“Problemi i ujit të pijshëm ka hyrë në rrugën e zgjidhjes. Me ndërhyrjen e qeverisë “Rama” ka filluar investimi që parashikon tubin e ri që vjen nga Miloti, i cili do furnizojë qytetin e Durrësit. Tub i cili realisht do të bëjë të mundur që furnizimi në qytet të jetë shumë më ndryshe nga çfarë ka qenë deri më sot”, deklaroi z. Xhelilaj.





