Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, duke folur gjatë ditës së sotme në seancën parlamentare, ka pyetur deputetët e opozitës se çfarë shembulli tentojnë të japin me bërjen e politikës me dhunë dhe djegien e karrigeve.
Ai u shpreh se në vetëm pak muaj mbahen zgjedhjet, ndërsa është shprehur i bindur se sërish PS do të fitojë.
“Kur ishim në opozitë jemi përjashtuar vetëm për atë fjalën “Nafije” nuk na lejohej të flisnim. Sot vini këtu vetëm për një gjë, që është edhe vepër penale, si djegia e karrigeve, e imagjinoni që një nga fëmijët tuaj të djegë karriget në shkolla, çfarë shembulli po jepni?
Për një vendim gjykate që ju ka dënuar, dhe do dënoheni sërish sa herë të prishni pronën publike dhe të bëni politikë me dhunë, do të dënoheni sërish. Se ju dënon ligji dhe Rregullorja.
Ne jemi PS, ju kemi mundur 30 vjet rresht dhe do ju mundim përsëri. Pak muaj na ndajnë nga gara e ardhshme, nëse mendoni se do të merrni një votë më shumë nga djegia e karrigeve, digjini. Jeni madhorë dhe i bëni veprimet me ndërgjegje”, tha ai.