Në Kryesinë e Kuvendit u hapën procedurat për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organi që do të zgjedhë më pas Prokurorin e ri të Përgjithshëm.

Në prag të protestës së 27 janarit, deputetët e opozitës nuk e bojkotuan mbledhjen e Komisionin e Ligjeve. Ata u paraqitën për të denoncuar planin që sipas tyre ka mazhoranca, për të kapur organin e akuzës.

Deputeti i Durrësit Oerd Bylykbashi tha se qëllimi final i të gjitha procedurave është kontrolli i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion apo ajo që njihet ndryshe si Prokuroria Speciale.

Pas kësaj do të paracaktohet renditja e kandidatëve për Prokurorë të Përgjithshëm kur ata të votohen në Kuvend.

Sipas Kushtetutës, nëse parlamenti nuk arrin konsensusin e 84 votave për një Prokuror të Përgjithshëm, atëherë zgjidhet automatikisht, emri i parë i renditur në listë.

Por as Prokurori i Përgjithshëm nuk është synimi final i mazhorancës, thonë demokratët.

Me anë të Prokurorit të Përgjithshëm synohet të kontrollohen emërimet në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, ose Prokuroria Speciale që ka kompetencat të hetojë zyrtarët e lartë duke nisur nga presidenti, kryeministri, deputetët, kryetarët e bashive, gjykatësit etj.

Opozita thotë se nuk i druhet drejtësisë. Shqetësimi zyrtar është mbyllja e dosjeve të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit etj.

Çështja është se Prokuroria Speciale nuk do të hetojë vetëm zyrtarët e lartë në detyrë të dyshuar për korrupsion, por edhe ish-kolegët e tyre, që tashmë janë në radhët e opozitës.