Deputeti socialist i Durrësit, Jurgis Çyrbja, ka qenë ditën e djeshme në takimin që kryeministri Edi Rama mbajti me emigrantët shqiptarë në Athinë.
Në disa postime në rrjetet e tij sociale, duke publikuar foto dhe video me emigrantët shqiptarë, kryesisht nga Shijaku dhe Durrësi që jetojnë në shtetin fqinj dhe që duken tejet të entuziazmuar nga ky takim, Çyrbja thekson se “vlerësohen të gjitha sakrificat e emigrantëve, por pa harruar kurrsesi përcjelljen e dashurisë për vendin tonë tek brezat e rinj që rriten larg.“
“Si asnjëherë më parë, të gjithë emigrantët krenohen me zhvillimin e pandalshëm të Shqipërisë drejt rrugës evropiane!”, shkruan Çyrbja në Facebook, ndërsa falënderon shqiptarët që iu bashkuan takimit në Athinë.
“Falenderues ndaj çdo shqiptari që na u bashkua sot në këtë takim historik dhe të hareshëm, veçanërisht ndaj qindra shqiptarëve nga Shijaku dhe Durrësi që prej vitesh jetojnë në shtetin fqinj.“, shkruan deputeti.