Në një kohë kur pritet që mes Edi Palokës nga “grupimi i Berishës” dhe Gazment Bardhit nga “grupimi i Alibeajt” të nisin bisedimet për të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore, deputeti demokrat Kreshnik Çollaku shprehet një skenar i kundërt do t’i falte Ramës bashkitë.

I ftuar në “Radari Informativ”, deputeti demokrat theksoi se më emergjente është sfida e zgjedhjeve lokale sesa ajo që e cilësoi si “konflikti i Tiranës” për legjitimitetin e PD-së në tërësi dhe strukturave të saj.

“Secili nga ne e ka të qartë se me ripërsëritjen e 6 marsit, i falim pushtetin lokal qeverisë. Do të ishte mungesë përgjegjshmërie nëse ne konfliktin e Tiranës, nuk mund ta mbajmë si një mur, që do të penalizojë me humbjen e të gjithë demokratëve tanë në bazë.”

I pyetur për mundësitë që “pjesa e Alibeajt” ka për të nxjerrë kandidatura dhe për të organizuar fushatën elektorale, Çollaku kujtoi se anëtarët e selisë blu nuk kanë shkuar në masë në drejtim të “Rithemelimit”.

“Në 6 mars u ndanë votat. Unë u bëj një ftesë kolegëve të rithemelimit, duke marrë parasysh PD-në e 25 prillit, të marrim listën e forumeve në të gjithë vendin, e të shohim në cilin krah kanë shkuar këta eksponentë. Nëse ju ekziston një degë e vetme që kjo strukturë ka shkuar vetëm në një krah, atëherë u jap të drejtë. Ndarja është gjysmë për gjysmë, ose ndryshe.”

Sa i përket primareve, Kreshnik Çollaku tha se parimisht i mbështet, por kritika e tij e vetme është hapja përtej anëtarëve.

“Ne nuk kemi filtra… do preferoja të bëheshin brenda PD-së. Një njeri që nuk është anëtar i PD-së mund të votojë. Na fut Rama të gjithë patronazhistët dhe na i shpall simpatizantë të PD-së. Jam në favor të primareve.”

Por nëse PD po shkon drejt bashkimit nuk do të ishte e arsyeshme që pala e Alibeajt të tërhiqej nga ankimimi që i ka bërë çështjes në Apel? Çollaku është i mendimit që vendimi i Apelit duhet pasi aktualisht PD është, siç u shpreh ai,  me nga dy struktura. Zgjidhja sipas tij në përfundim do të ishte një kuvend bashkimi.

Megjithatë, Çollaku theksoi se disa deputetë demokratë duhet të kujdesen që të mos i hedhin “benzinë një situate që është aktualisht e ndezur.”

“Qëndrimi i Berishës duket pozitiv, por shoh që paralel me deklaratat, sulmet vijojnë. Sot bëri një deklaratë të pavend Këlliçi në Kuvend, që tha Alibeaj është i shitur. Ka deputetë që i hedhin benzinë një klime që është aktualisht e ndezur.”