Deputeti demokrat i qarkut të Kukësit, Fatos Hoxha beson se më 23 qershor PD-ja do të fitojë me një rezultat më të thellë se në 1992. Në një intervistë Hoxha thotë se PD-ja po përgatitet për fitoren e mandatit të tretë, ndërsa kundërshtari politik për justifikimin e humbjes. Sipas deputetit Hoxha, PD-ja ngjan me ekipin spanjoll të futbollit "Real Madrid" ndaj dhe i fiton edhe e vetme zgjedhjet e qershorit, pa koalicionin me LSI-në.
Z.Hoxha cila do të jetë taktika e re elektorale e PD-së për 23 qershorin, a është e përgatitur ti fitojë zgjedhjet edhe e vetme?
Kjo pyetje kam përshtypjen se na çon tek themeli i politikës dhe i politikëbërjes. Partitë politike konkurrojnë me kapitalin e tyre, konkurrojnë me idetë, bindjet, platformat dhe arritjet e veta. Nuk konkurrojnë me kapitalin e komshiut. Ky është një nga leksionet e thjeshta dhe fillestare të politikës.
.
..Edhe pa LSI-në?
Në këtë kuptim aleanca jonë qeverisëse (bashkëpunimi PD-LSI), me arritjet e saj, është pjesë e kapitalit që ne hedhim në këtë konkurrim, po aq sa është pjesë e kapitalit që LSI hedh në konkurrim. Ne jemi të përgatitur të fitojmë zgjedhjet, sepse ne e kemi udhëhequr këtë vend me dorë të sigurt dhe me sukses të plotë në kohë vështirësish globale dhe turbullirash rajonale. Jemi nga vendet e pakta në kontinent që nuk kemi pësuar recension.
Ne kemi kryer reforma të forta dhe rezultative, kemi reformuar administratën, kemi përsosur legjislacionin shtetëror dhe thjeshtuar procedurat administrative, kemi racionalizuar shpenzimet publike dhe kemi reduktuar burokracinë, kemi rritur investimet publike dhe kemi rritur përkrahjen e shtetit për popullsinë, kemi rritur pagat e pensionet në kohën kur të tjerët i ulin (Greqi, Rumani, Bullgari etj), kemi përsosur shërbimet sociale dhe shëndetësore, kemi perfeksionuar infrastrukturën publike, në mënyrë të veçantë kemi sjellë revolucion në infrastrukturën rrugore nacionale dhe rajonale, (kemi ndryshuar gjeografinë e Shqipërisë) kemi luftuar me përkushtim dhe në front korrupsionin, kemi zmbrapsur krimin e organizuar dhe trafiqet etj,etj. Ne kemi programin elektoral fitimtar, kemi vizionin largpamës, kemi platformën më të sigurt dhe bindëse për shqiptarët, kemi qartësinë për atë që duan shqiptarët dhe jemi të vetmit që kemi punuar e punojmë për realizimin e saj, kemi garancinë e fjalës së mbajtur, kemi atdhedashurinë e sprovuar. Ky është kapitali ynë. Për këtë arsye fitojmë ne.
Pra ekziston mundësia që PD-ja të hyjë në zgjedhje edhe pa LSI-në?
Nëse ne do të futemi në zgjedhje me apo pa LSI-në, kjo nuk ka lidhje me strategjinë e fitores. Kjo u përket taktikave elektorale. Një gjë mund ta them me besim dhe siguri: Ne do të zgjedhim taktikën elektorale që maksimalizon rezultatin, sikurse besoj se dhe LSI është duke punuar seriozisht në këtë drejtim. Në fund do të shohim sa e suksesshme ka qenë taktika jonë, nuk mund ta themi tani. Ajo që mund të themi tani është se PD-ja ka dhënë prova, se di t'i përpunojë taktikat më mirë se kushdo tjetër. Këtë fjali të fundit nuk e themi vetëm ne. Më shpesh e thotë opozita!
Nëse PD-ja shkon e sigurt drejt fitores së mandatit të tretë, bëhet fjalë për ndonjë ekip rezervë, që mund të ndryshojë grupin aktual të deputetëve demokratë?
Pyetja juaj më kujton një debat të kahershëm dhe një thënie të kryetarit të grupit tim parlamentar: "Nëse na akuzojnë se ne kemi nxjerrë në fushë ekipin rezervë, unë akuzave u përgjigjem: PD ka aq shumë lojtarë të zot, saqë fiton dhe me ekipin rezervë". Meqë ekipi i Kukësit qytet prej të cilit vij si deputet është këtë vit në Superiore, po përdor një metaforë nga futbolli. "Real Madridi" me çfarëdo ekipi të futet në fushë fiton! Kaq e thjeshtë është.
Unë besoj se kjo thënie e zotit Patozi është aktuale edhe sot. Ekipi ynë është ekip kampionësh. Grupi ynë parlamentar është grup parlamentar kampion. Unë di me siguri se këto zgjedhje nuk mund të trajtohen si ndeshje stërvitore, edhe pse kundërshtari është ligë amatore. Këto zgjedhje janë një ndeshje serioze, janë finale kampionati, finale të një kampionati që zhvillohet një herë në katër vjet. Është e sigurtë se 'trajneri' ynë do nxjerrë në fushë ekipin e vet më të mirë. Emrat e lojtarëve nuk kanë rëndësi. Rëndësi ka fitorja. Formacioni i përket 'trajnerit', se dhe fitorja është në radhë të parë e tij.
PD-ja duket se prej kohësh ka shkëputur kontaktet me militantët e saj, por dhe një gjë e tillë mendoni se do të ndikojë negativisht tek vota e 23 qershorit?
Kur thoni PD-ja, çfarë keni parasysh? Partinë e bëjnë njerëzit. Partia nuk është nocion abstrakt. Keni parasysh kryetarin e partisë? Nuk besoj se ka njeri që beson se Sali Berisha ka shkëputur kontaktet me popullin e vet. Kryetari i PD-së është në komunikim të përditshëm, 24 orë në 24 me njerëzit. Ndjek çdo shqetësim të tyre, kërkon llogari për çdo hall që i paraqitet jep zgjidhje në kohë reale. Pyetini njëherë ministrat t'ju tregojnë se "ç'heqin". Numrin e tij të telefonit dhe email-in e tij e di çdo shqiptar. Apo duhet t''u flas për 'Facebook'-un? Më thoni një politikan jo në Shqipëri, por në rajon dhe kontinent, të ketë kaq shumë ndjekës në rrjetin social 'facebook'. Tani që po flasim bashkë janë afro 400 mijë!
Por kjo nuk mund të thuhet për drejtuesit e tjerë të PD-së, deputetët apo ministrat e Berishës…
Sigurisht që nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të gjithë anëtarët e kryesisë, apo për të gjithë ministrat, apo, po të doni, për të gjithë deputetët, por për shumicën pa diskutim që po. Komunikimi njerëzor është pa diskutim komponent i rëndësishëm i fushatës. Marrëdhënia njerëzore e kalitur si në opozitë, ashtu dhe në qeverisje, kujdesia për njerëzit dhe besimi i tyre ndihmojnë dhe forcojnë mesazhin politik, bëjnë që ai të shkojë më shpejt, më i sigurt dhe më bindës në zemrat dhe mendjet e njerëzve. Marrëdhënia njerëzore e kalitur në vite i mobilizon më shpejt militantët dhe i bën ata më rezultativë.
Nëse mua do më duhej të pyesja secilin nga kolegwt e mi për këtë gjë, me siguri që do merrja si përgjigje shembuj dhe modele pa fund të një komunikimi të shkëlqyer njerëzor. Më kuptoni drejt! Unë e di me siguri se jo të gjitha hallet dhe shqetësimet e njerëzve unë dhe kolegët e mi kemi mundur t'i zgjidhim në tërë këto vite. Diku për pafuqi tonën, diku për pamundësi të hallit për t'u zgjidhur, diku për mungesë bashkëpunimi apo vullneti nga administrata publike. Por marrëdhënia njerëzore, sidomos marrëdhënia me militantët, nuk është marrëdhënie "interesi" (po s'më bëre gjë nuk të kam më shok!). Militanti vlerëson dashamirësinë, përkushtimin, përpjekjen. Unë nuk di asnjë rast të vetëm timin apo të ndonjë kolegu, ku të jem përpjekur për të zgjidhur një hall të vogël apo të madh, me dashamirësi, dhimbsuri e përkushtim dhe të mos kem marrë në këmbim mirënjohje e respekt, pavarësisht nëse e kam zgjidhur apo jo hallin në fjalë.
Ka pakënaqësi brenda PD-së që duhen eliminuar deri në zgjedhjet e 23 qershorit?
PD-ja ka kohë që ka filluar organizimin dhe mobilizimin për zgjedhjet e Qershorit. "Motorët" janë të ndezur dhe ato tashmë kanë gjetur regjimin optimal të punës, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë. Nëse në Tiranë, në Shkodër, apo fjala vjen në Durrës është dhënë "kushtrimi", edhe në strukturat e tjera lokale të PD kanë përmbyllur mbledhjet e para organizative të fushatës, si dhe kanë asimiluar metodologjinë e punës dhe kanë ndarë detyrat. Të gjitha këto kanë ndodhur jo vetëm në qendër, por dhe në strukturat e njësive të vogla apo periferike, por gjithsesi çdo gjë duhet vlerësuar sepse nuk duhet humbur kohë.
Shpesh herë ka patur ankesa të deputetëve, por edhe të aktivistëve të PD-së ndaj krerëve të grupeve të punës nëpër qarqe sidomos për emërimet duke shmangur kështu deputetët e zonave respektive. Si i gjykoni këto zëra?
Këto janë probleme që kanë lidhje me administrimin e qeverisjes, apo më saktësisht të strukturave të partisë dhe të marrëdhënieve me grupin parlamentar. Tani jemi në një hapësirë tjetër, të ndryshme. Tani jemi në fazën e zgjedhjeve dhe të garës. Fenomenet e këqija, të çfarëdo lloji apo natyre të njërës hapësirë nuk mund të marrin peng hapësirën tjetër. Mendoni, fjala vjen se mund të ketë kryetarë grupesh që mund të sillen me arrogancë në këtë hapësirë, apo që mund t'i bëjnë duva përçarjes, klientelizmit apo kronizmit? Nëse do kishte qoftë dhe vetëm një të tillë jo brenda PD-së, por brenda çdo partie në garë, unë do thosha pa frikë se ky njeri e ka me hile, ky njeri është duke punuar kundër partisë së vet. Kjo hapësirë nuk e lejon gabimin, nuk e fal atë.
Në këtë fazë çdo minutë dhe orë vihet në funksion të fitores, në funksion të trokitjes në çdo derë dhe të mbledhjes së çdo vote. PD-ja është një parti e madhe, me një mision historik, me një lider historik dhe javët e mbetura janë vendimtare për të çuar përpara vendin. PD ka sot se çfarë t'i thotë votuesit kudo, në çdo cep të Shqipërisë. PD-ja ngjall sot besim më shumë se kurrë! Koha deri në zgjedhje duhet "shtrydhur" për të thelluar fitoren. PD duhet të tejkalojë veten. PD e 2013, duhet të tejkalojë PD e 1992, ku arriti rezultatin e saj më të mirë historik. Në atë kohë PD e arriti si shpresë dhe si premtim. Sot PD ngjall besim dhe siguri. Besim dhe siguri për të sotmen dhe të ardhmen. PD në dy mandate bëri historinë! Vendi anëtar në NATO, Shqiptarët lëvizin pa viza në gjithë Europën. Shqiptarët takohen më shpejt me njëri-tjetrin kudo që janë (rruga e Kombit). Shqipëria ka ndryshuar aq sa një i huaj që e ka vizituar për herë të fundit në 2005, sot thotë se po "viziton një vend tjetër".
Nëse fitorja e PD-së do të varej nga votat e AK-së së Kreshnik Spahiut apo FRD-së së Topit, a do të ishte e gatshme të bënte koalicion me ta për hir të një mandati të tretë qeverisës?
Fitorja e PD varet vetëm nga kapitali i saj politik, nga askush tjetër. Ne zgjedhjet do t'i fitojmë vetëm për shkakun dhe për meritën tonë. Lërini të tjerët të djersitin nën ëndrrat e jermit të tyre. Shpejt do të zgjohen!
Ndërkombëtarët apelojnë për njohje të rezultatit të zgjedhjeve, kulturë kjo e munguar në Shqipëri. A është e gatshme PD-ja të njohë njësoj si fitoren ashtu dhe humbjen?
Kjo pyetje kam frikë se nga stërpërsëritja po humbet kuptimin e vet. PD është parti e ligjit, parti e shtetit ligjor. PD ka të paktën dy zgjedhje që ka provuar se prioritet të saj të parë në raport me zgjedhjet ka mbarëvajtjen e procesit, sepse prioritet të parë politik ka integrimin e Shqipërisë në BE. Të dyja gjërat nuk ndahen dot nga njëra-tjetra. PS ka të paktën dy zgjedhje që prioritet të parë në raport me zgjedhjet ka dështimin e procesit, sepse prioritet të parë politik ka bllokimin e integrimit të Shqipërisë në BE. Dhe ju na e bëni ne këtë pyetje?! Ne jemi gati të shijojmë fitoren e radhës. Shikoni kundërshtarin përgatitet për justifikimin e humbjes së radhës!