Deputeti i Durrësit, Arkend Balla, në një aktivitet të mbajtur me të rinjtë, në prani të Kryetares së Bashkisë dhe Drejtueses Politike të Qarkut të Durrësit, znj. Emirjana Sako, ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së të rinjve në politikë dhe vendimmarrje.
Në fjalën e tij, Balla e vlerësoi rolin e të rinjve si forca kryesore për ndërtimin e Shqipërisë së së ardhmes dhe veçoi angazhimin e tyre si një nga shtyllat kryesore të vizionit të Partisë Socialiste për Shqipërinë 2030.
“Rinia është pjesë e rëndësishme në synimin e PS për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë 2030,” tha Balla, duke theksuar se “të rinjtë janë të mirëpritur të përfshihen jo vetëm si votues, por edhe si protagonistë të ndryshimeve“.
“Pjesëmarrja juaj, qoftë përmes strukturave të partisë, kandidimit si këshilltarë bashkiakë, apo angazhimit në vendimmarrje, është jetike për të ndërtuar Shqipërinë që duam,” u shpreh ai.
Balla gjithashtu u ndal në procesin e rienergjizimit të PS-së për zgjedhjet e vitit 2025 duke përmendur platformën “Deputeti që duam,” përmes së cilës figura të reja mund të aplikojnë për t’u bërë përfaqësues të rinisë në Parlament.
Duke theksuar rëndësinë e të rinjve në qendër të çdo nisme, Balla përmbylli fjalën e tij me një thirrje për angazhim dhe përkushtim.
“PS-ja është e hapur për të rinjtë nga të gjitha shtresat e shoqërisë. Zëri juaj ka rëndësi, dhe me të, ne mund të ndërtojmë një Shqipëri më të zhvilluar”, përfundoi ai.