Deputeti i Durrësit Jurgis Çyrbja ndodhet këtë të mërkurë në Lisbonë, si përfaqësues i delegacionit të Komisionit të Ligjeve të Shqipërisë, ku ka marrë pjesë në një takim dypalësh midis Komisionit të Ligjeve të vendit tonë dhe atij të Portugalisë.
Takimi u mbajt në São Bento Palace, Parlamentin e Portugalisë, ku u diskutua për qasjen pozitive të marrëdhënieve tona dy palëshe.
Çyrbja në një postim në rrjetin e tij social “Facebook”, shkruan se: “Sot pata nderin të marr pjesë në Komisionin për Administratë Publike, Planifikim Territorial dhe Qeverisje Lokale. Së bashku me kryetaren e këtij Komisioni, Isaura Morais diskutuam për qasjen pozitive të marrëdhënieve tona dypalëshe.”
Në një tjetër postim, deputeti i Durrësit bën me dije se kanë vizituar Parlamentin e Portugalisë, ku së bashku me kolegë të Komisionit Portugez për Çështjet Kushtetuese, të Drejta, Liri dhe Garanci, folën gjërësisht për krijimin e një Grupi të Miqësisë me vendin tonë.
Çyrbja thekson se ky grup do të përkthehej në bashkëpunim të qëndrueshëm në procesin e integrimit të vendit tonë.
“Gjithashtu po me të njëjtën energji diskutuam dhe për mundësitë e shumta që mund të krijohen në bashkëpunime të mundshme në turizëm dhe tregti mes dy vendeve tona”, përfundon deputeti i Durrësit.