Jurgis Çyrbja, deputeti aktual i Partisë Socialiste, ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit gjatë kohës kur Shullazi ka marrë Hotel Vollgën.

Gjatë dëshmisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda ai ka folur për herë të parë lidhur me një bisedë me Emiljano Shullazin për këtë çështje.

Çyrbja është shprehur se fillimisht biznesmeni Ylvi Beqja i ka kërkuar regjistrimin e hotel Vollgës, ndërkohë që më pas ai është takuar me Emiljano Shullazin.

Çyrbja ka deklaruar se Beqja i ka kërkuar që së bashku të takohen me Shullazin dhe takimi është bërë në Shijak, afër shtëpisë së Drejtorit të Hipotekës së Durrësit.

“Shullazi më pyeti nëse do ta regjistroja pronën dhe i kam thënë se do të zbatoj vetëm ligjin. Më pas bëra regjistrimin dhe kufizimin e pronës”, është shprehur Çyrbja në seancën e sotme në Gjykatë.

I pyetur nëse ka pasur konflikte gjatë kësaj periudhe, ai e pohoi, por shtoi se konfliktet nuk i ka pasur me personat e pandehur, raporton “Panorama”.

Seanca vjen pas një serie seancash me përballje të forta e debat të ashpër mes Shullazit dhe biznesmenit që bëri denoncim, Ylvi Beqaj, i cili nxori emra të njohur të politikës, ish-ministra, krerë hipotekash, zyrtarë të SHISH dhe krerë institucionesh si persona me të cilët kishte Shullazi kishte bërë takime.