Ministri në ikje: Sukses E-GOV CRM SHP për Shërbimin e Provës dhe E-GOV CRM DPB për dosjet e të dënuarve në burgje, dy sistemet më moderne të administrimit digjital të arkivit dhe gjendjes aktuale të personave që vuajnë një dënim penal

TIRANË, 2 gusht 2013 – Është i trishtuar deputeti i Durrësit dhe ministri në ikje Eduard Halimi që ka shënuar suksese në drejtësinë digjitale, por elektorati nuk diti të vlerësojë PD-në si në Durrës ashtu dhe në krejt vendin. Ministria e Drejtësia përfundoi më 2 gusht 2013 dy prej sistemeve elektronike më të dobishme në menaxhimin e kartelave te të dënuarve që janë në burgje dhe atyre në shërbimin e provës, të cilat nga 1 shtatori ato do të zbatohen në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit në Shqipëri, njoftoi ky dikaster. Sistemi elektronik E-GOV CRM SHP për Shërbimin e Provës dhe sistemi E-GOV CRM DPB për dosjet e të dënuarve në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve janë dy sistemet më moderne të administrimit digjital të arkivit dhe gjendjes aktuale të personave që vuajnë një dënim penal. Dy sistemet të menaxhojnë në mënyrë elektronike të dhënat për të dënuarit, të dhënat personale, krimet për të cilat janë dënuar, gjendjen psikologjike, lidhjet me alkoolin apo drogat, prirjet negative, përpjekjet për rehabilitim, të dhënat për sociologët, psikologët, mjekët, kartelat mjekësore, të dhënat për policinë, të dhënat për gjykatën e prokurorinë. Sistemet elektronike do të bëjnë që të menaxhohen më lehtë dhe në kohë reale të dhënat e të dënuarve, do të rrisin kontrollin mbi të gjitha lejet që jepen në burgje, mbi të gjitha raportet e sociologëve në shërbimin e provës në lidhje me rehabilitimin, do të menaxhohen rastet e korrupsionit eventual, rastet e verifikimit të takimeve dhe kontrolleve në burgje. Ministri në ikje i Drejtësisë dhe deputet i qarkut të Durrësit Eduard Halimi bëri një deklaratë, ku ndihet tonet e mërzisë pse elektorati shqiptar ndëshkoi me votë PD-në në Durrës dhe në mbarë Shqipërinë, me gjithë sukseset e arritura: “I jam mirënjohës cilitdo që besoi në projektin e drejtësisë digjitale si mundësia më e mirë për të ofruar shërbime cilësore dhe transparente për çdo qytetar. Falë kontributit të nëpunësve të administratës, realizuam çdo projekt të premtuar, patëm arritje të rëndësishme dhe një qeverisje të suksesshme”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/