·        LSI dhe plehrat, një “krisje” me Edi Ramën dhe riafrim me Sali Berishën?

DURRËS, 23 prill 2014 –Importi i plehrave “bashkon” Lefter Kokën e LSI-së me PR-në, ku është deputet kunati Agron Duka dhe kryetar Fatmir Mehdiu, paraardhësi i vet si ministër.

Rrufe në qiell të pastër, e konsideron ambjentalisti Lavdosh Feruni deklarimin më 22 prill 2014 të kreut të dikasterit të Mjedisit Lefter Koka, deputet i Durrësit dhe një nga figurat kryesore të LSI-së, për mundësinë e rishikimit të ligjit për ndalimin e importit të mbetjeve të rrezikshme apo të parrezikshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Mund të bëhen tri hamendje.

A është opinion vetjak i Kokës, nxitur nga bizneset e ricikluesve durrsakë të plumbit, aluminit, skrapit etj. (më 18 mars 2013 një kompani riciklimi në Shkozet i ka kërkuar paraardhësit të Kokës, Fatmir Mediu, leje për importimin e 2 mijë tonë skrap plumbi në vit, shih faksimilen).

Po ashtu mund të spekulohet se Koka dhe LSI ushtrojnë trysni për të marrë bashkinë e Durrësit (kunati i Kokës, deputeti republikan Agron Duka ka sulmuar kryebashkiakun Vangjush Dako për një pallat në Currila).

Ndërkaq, deklarimi mund të interpretohet si paradhënie e një “krisjeje” në koalicionin qeverisës, duke gjetur sebep amendimin e ligjit të importit të plehrave; por, nëse Rama do të mbështeste këtë sugjerim të LSI-së, vendi do të futej në një spirale protestash, sikurse ka paralajmëruar më 23 prill 2014 Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP).

(Në deklaratën e AKIP-it bëhet e qartë se “Çdo tentativë nga qeveria shqiptare apo nga çdo anëtar i kabinetit qeverisës për të lejuar importin e plehrave do të kundërshtohet prerazi nga AKIP dhe nga të gjithë shqiptarët që mendojnë si ne” dhe se “AKIP-i është i gatshëm të rinisë betejën për ndalimin e importit të plehrave në Shqipëri në çdo rast kur kuadri ligjor aktual që e ndalon, do të vihet në diskutim për anulim”, duke kërkuar nga Kryeministri Rama “distancimin e menjëhershëm nga deklaratat e z. Koka”).

Info / Disa nga bizneset ricikluese në Durrës

• Skrap metalik: Scholz shpk, Xhafzotaj (Përurimi nga ish-Kryeministri Sali Berisha, në foto poshtë)

• Plastikë: Almar, Istrefi

• Alumin: Technoservis, Shkozet

• Metalet e zeza: Ylberi, Shijak

• Plumb: Somet shpk, Shkozet

• Letër: Edipack sha, Porto Romano

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/