Deputeti i ‘opozitës së re’, Krenar Rryçi ka rënë sot në sy gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë teksa mbante shënime, ndërkohë që flitej për rrëzimin e dekreteve të Presidentit Meta.
Por në tryezën e punës nuk mund të mos binte në sy fakti se deputeti i Parlamentit të Shqipërisë, mbajti shënime dhe firmosi procesverbalin e prezencës me një stilolaps ku ishte stampuar logoja e një kompanie bastesh.
Nuk dihet nëse deputeti është i apasionuar pas lojërave të fatit dhe këtë stilolaps e ka mbajtur si suvenir, apo ka arritur të zbulojë një vend ku kjo kompani kryen ende shërbime.
Kjo pjesë mbetet mister, por deputeti që firmosi me logon e “Bet355”, mbase nuk është në dijeni që reklamimi i lojërave të fatit është vepër e dënueshme.
Krenar Rryçi ka hyrë në Parlamentin e Shqipërisë si pjesë listave të PD-së. Ai ka qenë i renditur i parafundit në listën e qarkut të Durrësit.
Ndërkohë që në CV-në e tij ai shkruan se aderon prej vitit 2001 në Partinë e Reformave Shqiptare, me kryetar Skëndër Halilin.
Nga 1 janari i vitit 2019, me vendim qeverie janë mbyllur pikat e basteve sportive dhe në funksion të kësaj, u bënë edhe ndryshime në ligjin për lojërat e fatit.
Burimi: Panorama





