Në Komisionin për Sigurinë Kombëtare u diskutua sot edhe për raportet e mediave britanike që flasin për një marrëveshje se në Shqipëri do të instalohet një kamp refugjatësh.
Deputeti i Partisë Socialiste Paulin Sterkaj u shpreh se është pro kthimit të Shqipërisë në një kamp refugjatësh, pasi sipas tij kjo do të sillte të ardhura për vendin tonë.
“Vjen një person me 100 mijë paund. Kosto minimumit jetik në Shqipëri është 500 paund. Kemi kohë me e mbajt 20 vite në Shqipëri pa asnjë lloj problemi. Ju e dini se çfarë njerëzish kemi në Britaninë e Madhe. Shqiptarët që jetojnë në Angli nuk i ka luajtur kush. Ka dhe me dy emra.
Kjo marrëveshje nuk na shqetëson hiç. Na hap mundësinë me komunikuar edhe Britaninë e Madhe që ka dalë nga BE. Siguria kombëtare cenohet kur nuk ke mundësi financiare me i mbajtur. I kam takuar. Ai mund të jetë edhe shqiptar dhe bën me u duk një fije si kaçurrel dhe të zi. Nga kjo ju nuk duhet me u mërzit. Unë shpesh herë kam dalë kundra qeverisë.
Kjo marrëveshje nuk i bën asgjë të keqe vendit tonë. Vetëm se na rrit mundësinë me qenë pak më human. Bëhuni më të hapur. Ju e dini mirë çfarë ndodhi me NATO-n. Ju thoni kemi liberalizuar vizat. Unë thërras që ne nga kjo marrëveshje nuk na vjen asgjë e keqe. Ju thoni se po vijnë ata dhe po bëjnë një kamp në Shqipëri dhe po fiton lekë ai. Po me ardhur leku në Shqipëri çfarë të keqe ka?”, tha Sterkaj.
Ndërkohë që këtë lajm vetë kryeministri Edi Rama e ka mohuar duke deklaruar se vendi ynë s’do jetë ‘asnjëherë një vend ku vendet shumë të pasura do krijojnë kampe për refugjatët e tyre”.





