Deputeti italian i Partisë Aleanza Verdi e Sinistra, Angello Bonelli në një intervistë me gazetaren Alba Kepi ka folur në lidhje me çështjen e emisionit investigativ Report. Bonelli është shprehur se akuzat e Ahmetaj janë shumë preokupuese dhe se nuk duhen injoruar.
Bonelli deklaron publikisht se do të kërkojë interpelancë parlamentare mbi deklaratat e dhëna nga Arben Ahmetaj në emisionin Report. Përsa i përket vizitës së ditës së sotme të kryeministres italiane në qendrat e emigrantëve, Bonelli tha se është një operacion mega propagandistik mes Melonit dhe Ramës.
Sipas Bonellit ky projekt do ti kushtojë italianëve 1 miliardë euro, para të cilat i hiqen të ardhurave të vendit që mund të shkonin në sistemin shëndetësor publik, por dhe për të respektuar të drejtat njerëzore të emigrantëve.
Alba Kepi: Në këto orë Kryeministrja italiane ndodhet në Shqipëri për të inauguruar qendrat e emigrantëve? Si e komentoni këtë zgjedhje të qeverisë italiane për të spostuar problemin e emigracionit ilegal në në vend jo anëtar të BE?
Angelo Bonelli: Së pari sot kryeministrja Meloni do të inaugurojë kantiere ndërtimi sepse në Gjadër nuk ka asnjë strukturë mikpritje të ngritur e vetëm në Shëngjin ka një qendër hotpsoti që nuk mund të funksionojë pa strukturat e Gjadrit. Është një operacion mega propagandistik që po e bën së bashku me kryeministrin shqiptar Rama e që i kushton italianëve 1 miliardë euro. Është një shifër e pabesueshme që i hiqet të ardhurave të vendit që mund të shkonin në sistemin shëndetësor publik, por dhe për të respektuar të drejtat njerëzore të emigrantëve. E për më shumë sot Kryeministrja Meloni bën një konferencë shtypi pa lejuar pyetjet e gazetarëve.
Alba Kepi: Pak orë më parë emisioni investigativ Report shfaqi fakte preokupuese mbi Shqipërinë: Ju si përfaqësues të votës opozitare të italianëve në parlament çfarë preokupimesh ju shfaq pakti Meloni-Rama dhe në këndvështrimin e çështjeve të publikuara në këtë program?
Angelo Bonelli: Ne jemi shumë të preokupuar e shpresojmë që autoritetet gjyqësore italiane e shqiptare të zbardhin e të hedhin dritë mbi çfarë u dëshmua në këtë program. Pamë deklarata të ish zëvendësit të Ramës që duhen sqaruar, janë akuzua shumë rrethanore e shumë preokupuese që nuk mund të injorohen. Për këtë ne do të kërkojmë një interpelancë dëgjimore në Parlament .l Janë fakte që kanë ndodhur në territorin shqiptar e Kryeministrja Meloni nuk e sheh të arsyeshme të jap përgjigje popullit me një sjellje autoritare e ne jemi të vendosur të bëjmë një opozitë të fortë.
Alba Kepi: Pra për ta theksuar ju do kërkoni një interpelancë parlamentare mbi çfarë?
Angelo Bonelli: Do të kërkojmë interpelancë parlamentare mbi deklaratat e dhënë në emisionin Report nga ish-zëvendësi i Ramës, ish zëvendëskryeministri shqiptar, Arben Ahmetaj.