Dy ditë pasi dëshmoi në SPAK, deputeti Jurgis Çyrbja ka dorëzuar zyrtarisht mandatin e deputetit të Partisë Socialiste.
“DurrësLajm” mëson se deputeti Çyrbja e ka dorëzuar ditën e djeshme mandatin, ndërsa arsyet nuk bëhen ende zytarisht të ditura.
Kujtojmë se të martën, njëri pas tjetrit në SPAK janë paraqitur dy deputetë, një i PS-së dhe një i PD-së. Pak para orës 10 në Prokurorinë e Posaçme u paraqit i zgjedhuri i PD-së Isuf Çela, e vetëm 5 minuta më pas tij mbërriti dhe socialisti Jurgis Çyrbja.
Demokrati qëndroi për rreth një orë e 20 minuta duke dhënë dëshminë, por pa dhënë shumë detaje mbi shkakun e thirrjes. Ndërkaq përfaqësuesi i mazhorancës qëndroi për rreth 5 orë, por në dalje të SPAK-ut mohoi të jetë thërritur si i pandehur.
Çyrbja është akuzuar disa herë nga opozita, ndërsa i fundit ka qenë Edi Paloka, i cili e ka denoncuar në SPAK për firmosjen brenda të njëjtës ditë të dy praktikave për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar kështu mbivendosje pronash.
Në atë kohë Paloka pretendoi se edhe javët e fundit të fushatës Çyrbja ka qenë i pranishëm në Kadastrën e Durrësit duke shpërndarë certifikata dhe legalizime, siç tha ai njësoj sikur të ishte ende drejtor Hipoteke.