Kjo e shtunë e gjeti deputetin e Durrësit Jurgis Çyrbja në disa vizita simbolike por dhe shumë të bukura, jo aty ku jemi mësuar ta shohim çdo fundjavë në Ishëm dhe Manzë, por në Itali pranë emigrantëve të këtyre zonave që kanë emigruar prej vitesh në vendin fqinj.
Deputeti Çyrbja e nisi mëngjesin duke pirë kafenë në Castelfranco di Sotto, Itali, në zemër të komunitetit shqiptar kryesisht me banorë që janë shpërngulur prej dekadash nga Manza dhe Ishmi (dy njësitë administrative të cilat deputeti i mbulon prej vitesh).
Për Çyrben ky ka takimi më i veçantë i këtyre ditëve me shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në këtë zonë por mendjen dhe zemrën e kanë në Manëz dhe Ishëm, me gjysmën e familjarëve të të cilëve deputeti takohet çdo javë:
“Takimi më i veçantë i këtyre ditëve me shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në këtë zonë por mendjen dhe zemrën e kanë në Manëz dhe Ishëm! Me Xhemën, në zemër të komunitetit shqiptar kryesisht me banorë që janë shpërngulur prej dekadash nga Manza dhe Ishmit. Me gjysmën e familjarëve të tyre takohemi çdo javë, ndaj sot i çuam të falat e tyre sepse siç e kam theksuar shumë herë dhe më parë, ne jemi tashmë një familje e madhe të gjithë së bashku! “, shkruan ai teksa publikon edhe foto nga takimet.
Dhe nga Castelfranco di Sotto, takimet kanë vijuar në Siena, me Armandin, sipërmarrësin që numëron 100 punonjës në biznesin e tij në fushën e bujqësisë, për të cilin Çyrbja thotë se është një histori suksesi!
“Armandi është shpërngulur nga Manza në Itali në moshën 12-vjeçare dhe sot punon e jeton në Siena si sipërmarrës në fushën e bujqësisë. Biseduam me Armandin dhe Xhemën, rreth planeve afatgjata të bizneseve të tij dhe më tregoi se të gjithë punonjësit shqiptar janë trajnuar dhe specializuar, për t’u zgjeruar në një të ardhme të afërt dhe në Shqipëri”, thotë Jurgis Çyrbja, teksa mes emocionesh tregon që Armandi shprehet se Manzën e tij të dashur ai e gjen çdo herë e më të bukur kur kthehet, këto vitet e fundit!
Barberino Val d’Elsa, Toskanë – Në tokën e bukur toskane, nuk mungonin mjeshtrat shqiptarë të punës së palodhur që punojnë në Azienda Agriarte të Armandos, me të cilët Çyrbja ndau gjithashtu disa momente të gëzueshme sot.
Krenar që përfaqësohet nga njerëzit punëdashës të Manzës dhe Ishmit, deputeti në veçanti iu tregoi atyre për programin mbështetës të Qeverisë Shqiptare ndaj bujqësisë: “Vizituam së bashku me Xhemën të gjitha hapësirat e blerta ku përqëndrohet puna kryesore e fermerëve shqiptarë. Me një prodhimtari rekord dhe me cilësi, çunat shqiptarë kanë arritur të diferencojnë me punën e tyre, për t’u kthyer në Shqipëri me një eksperiencë bujqësore më gjithëpërfshirëse!”
Dhe në përfundim kjo vizitë kaq simbolike dhe speciale, si për komunitetin e emigrantëve të Manzës dhe Ishmit, ashtu edhe për vetë deputetin, u mbyll me një darkë të mbledhur si mes miqsh në Toskanë.