Deputeti i qarkut të Lezhës, Eduart Ndocaj, ka deklaruar se është kërcënuar me jetë për shkak të detyrës nga Xhevahir Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka.

Në një postim në faqen e tij në“Facebook”, Ndocaj shkruan se pas telefonatës kërcënuese ka biseduar me vëllanë tjetër të Arben Ndokës, Sandër Ndoka, i cili konfirmoi linjën e vëllait kërcënues, duke argumentuar se “nuk kam ç’të bëj, sepse e ke mbushur kupën”. Deputeti thotë se për këtë situatë ka vënë në dijeni edhe kryeministrin Edi Rama.

Postimi i plotë i deputetit Eduart Ndocaj:

"Nga momenti i marrjes së pushtetit në përputhje me Kushtetutën dhe me misionin e mandatit të deputetit duke mbrojtur interesat e përgjithshme dhe të qytetarëve kam denoncuar disa herë abuzimet në pushtet, mungesën e efikasitetit të institucioneve, mungesën e shërbimeve.

Në përputhje të plotë me ligjet në fuqi dhe me rregullat e lojës të demokracisë kam vetëshpallur kandidimin tim për Kryetar të Partisë Socialiste. Bëra një reagim në faqen zyrtare të “Facebook”-ut, duke evidentuar disa problematika që lidhen me funksionimin e PS-së në Lezhë dhe me procesin zgjedhor të PS-së.

Reagimi ishte krejt normal në formën e saj demokratike si dhe për faktin, se është një kontribues i rëndësishëm i PS-së. Ky reagim është botuar thuajse në të gjitha mediat online.

Shkrimi nxjerr në pah probleme të Partisë Socialiste në Lezhë, që të gjithë i dinë, por nuk kanë guxim të flasin. Në lidhje me këto problematika, kam njoftuar disa drejtues të rëndësishëm të forumeve të larta të PS-së, duke përfshirë këtu edhe z. Balla.

Nga pasditja kam marrë një telefonatë kërcënuese nga z. Xhevahir Ndoka, vëllai i ish-deputetit z. Arben Ndoka.

Jam kërcënuar me jetë për shkak të detyrës. Pas telefonatës kërcënuese, kam biseduar me vëllanë tjetër të Arben Ndokës, Sandër Ndoka, i cili konfirmoi linjën e vëllait kërcënues duke argumentuar se: "nuk kam ç’të bëj, sepse e ke mbushur kupën".
Në lidhje me këtë kërcënim janë në dijeni Taulant Balla dhe Edi Rama. Disa herë i kam ngritur problematikat e PS-së në Lezhë e madje i kam thënë z. Balla, se jam i gatshëm të takohem me z. Ndoka e të ndanim pozicionet pa pasur nevojë për ndonjë përplasje primitive.

Këtë kam dashur ta bëj për të mirën e PS-së dhe për faktin se me z. Arben Ndoka kam bërë sfidën e 2013-s e për këtë arsye e konsideroja mik. I kam konsideruar miq vëllezërit Ndoka duke mos u marrë asnjëherë personalisht me ta.

Duket si një skenar i rrezikshëm për të futur në gjak për arsye politike veriorët. Po ashtu vëllai i Arben Ndokës, pasi më kërcënon përmes telefonit, nga 23.00 merr në telefon edhe këshilltarin Alban Daci, duke e kërcënuar me jete familjarisht dhe duke i dhënë ultimatum për t’u larguar nga Shqipëria brenda 24 orëve ose ndryshe do të jetë i vdekur.

Kërcënimi me jetë i z. Daci bëhet për herë të dytë për shkak të detyrës si këshilltar dhe si publicist. Kohë me parë Daci është kërcënuar personalisht nga vete Arben Ndoka, sepse kishte bërë një status për dekriminalizimin, duke e trajtuar si fenomen pa përmendur asnjë emër konkret.

Daci në kërcënimin e parë ka njoftuar e ka komunikuar me ambasadën e SHBA-ve dhe z. Balla.

Ndërsa unë nuk kam ndërmend të bëj asnjë lloj lëvizje të natyrës primitive, por do të ndjek rrugën ligjore. U bëj thirrje selive diplomatike të huaja të akredituar në Shqipëri, të shqetësohen për situatën mafioze që është krijuar nën petkun e politikës.

I kërkoj vëmendje edhe ambasadorit të SHBA-ve, z. Lu në lidhje me kërcënimin e bërë si dhe për faktin se politika dhe mafia për fat të keq në Shqipëri po bëhen një dhe nuk po dallohen më".