Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka nxjerrë disa foto nga xhamia e Ethem Beut dhe fare pranë saj materiale ndërtimi të kullës që po ngrihet. Sipas tij, për të fshehur faktin që një kullë po ngrihet pranë Xhamisë, Rama dhe Veliaj e çuan natën Presidentin Erdogan për të inauguruar rikonstruksionin e Xhamisë.
“Pas një dite të ngjeshur në Shqipëri, në fund të axhendës Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan inauguroi edhe rikonstruktimin e Xhamisë së Ethem Beut. Por jo pa qëllim dy personat që janë më poshtë në foto (Rama dhe Veliaj) koordinuan oraret që Erdogan të shkonte për inaugurim në mbrëmje”, shkruan Sula.
Sipas tij “Qëllimi i tyre ishte i qartë që t’i fshihnin presidentit turk kullat që po ngrihen jo më shumë se 20 metra nga Xhamia dhe jo më shumë se 2 metra nga Kulla e Sahatit. Kjo kullë nuk ka më 4 faqe për t’u parë pasi 1 është zënë nga kulla që nuk dihet se me çfarë parash po financohet për t’u ngritur. Ndërsa vizitorët nuk do mund të shkrepin më foto historike të Xhamisë së Ethem Beut sepse në sfond do të kenë sërish kullat që dyshohet se ndërtohen nga paratë e bosëve të drogës”.





