Durrsakja Keida Ferra është një nga 10 finalistët e parë të përzgjedhur përmes platformës “Deputeti që duam” në Partinë Socialiste, nga 1851 aplikantë që kanë prezantuar veten e tyre prej disa muajsh.

Me një eksperiencë 22-vjeçare në administratën shtetërore, kandidatja Ferra aktualisht drejton aktualisht sektorin e statistikës dhe informatikës në Sigurimet Shoqërore në qytetin bregdetar

E diplomuar për Matematikë në Universitetin e Shkencave të Natyrës, Ferra tha para kryeministrit Edi Rama se ka zgjedhur të përfshihet në politikë për të kontribuar sa më shumë për qytetin e saj.

“Unë quhem Keida Ferra, vij nga qyteti i Durrësit. Jam nënë e dy vajzave dhe këtë platformë që kam vendosur të marr pjesë e vlerësoj jo vetëm si një mundësi që i jepet çdo qytetari por edhe si një mundësi që në mënyrë të veçantë Partia Socialiste ia dha grave dhe vajzave. Unë kam mbaruar studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Matematikë. Kam 22 vite eksperiencë në administratën shtetërore, drejtoj aktualisht sektorin e Statistikës dhe Informatikës në Sigurimet Shoqërore në Durrës. Kam patur fatin që në këtë pozicion të jem pjesë e drejtimit, organizimit të projektit më të madh pilot të lancuar nga qeveria që është implementimi i recetës elektronike dhe kartës së shëndetit. Dëshiroj që të vazhdoj të jap kontributin tim në një diapazon më të gjërë duke qenë përfaqësuese e qytetarëve të mi durrsakë. Gjithashtu duke falenderuar për mundësinë, uroj që këto zgjedhje të shënojnë vazhdimin e ndryshimit rrënjësor në të gjithë Shqipërinë por  veçanërisht në Durrës, si një qytet që e meriton më shumë nga të gjithë duke qenë simbol dhe dëshmi e civilizimit të gjithë vendit tonë që nga lashtësia. Dhe një arsye tjetër që unë dua të jem pjesë në këto zgjedhje, është sepse si qytetarë ne kemi tendencën të jemi gjithmonë kritikë ndaj mënyrës sesi administrohet pushteti në këtë vend, dhe të marrësh pjesë vetë, të kandidosh vetë është një mënyrë konkrete për t’u përballur vetë me këtë dhe me përgjegjësinë që të ofron ky pozicion.”, u shpreh ajo.

G.D.