Pas takimit me drejtorët e policisë së Tiranës, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri deklaroi se deputeti demokrat Gent Strazimiri e ka dorëzuar sot armën të cilën e mbante në protestën te liqeni.
“Lajm i mirë është që e dorëzoi sot armën. Nuk vazhdoi të ishte në paligjshmëri, shpresoj që të na kursejë në të ardhmen skenat e tubimeve, ku dhunohen punonjësit e policisë dhe deputetë të mbajnë armë. Në ligj kemi përcaktuar se funksionarë të lartë s’duhet të kenë armë nëse nuk ka shqetësim”, tha Tahiri.
Ministria e Brendshme i kishte kërkuar deputetit Strazimiri të dorëzonte armën, pasi ligji ishte shfuqizuar. Deputeti i PD-së u fotografua me armën në brez, gjatë protestës së opozitës te Parku i Liqenit.





