Deputeti i opozitës së re në Parlament, Andi Përmeti, ka sulmuar deputetin socialist Ilir Beqja, lidhur me debatin e krijuar pas deklaratave të këtij të fundit për pagat dhe pensionet.
Gjatë fjalës së tij në seancë, deputeti Përmeti kërkoi që në Parlament të vendoset edhe një mjek psikiatër, duke ironizuar dhe kundërshtuar njëkohësisht propozimet e deputetit Beqja.
“Doja që sot t’i propozoja Kryeministrit shtimin e një mase tjetër sigurie për seancën plenare. Duke falenderuar doktorët që janë tek hyrja e Kuvendit, doja t’i propozoja Kryeministrit të shtonte tek dera edhe një mjek psikiatër. Koha e karantimit është kohë e vështirë mendërisht dhe po të shohësh nga salla mbase vë re dikë që është disi më i zbehtë, më i dobët dhe ka patur një çrregullim në pamjen e tij. Dhe mendon që mbase është kohë stresi, mbase është kohë ankthi duke qenë se kjo është një periudhë realisht e ngarkuar dhe e vështirë për të gjithë. Pastaj e dëgjon, e dëgjon që propozon uljen e pagave të mjekëve, të doktorëve, të infermierëve, të policëve dhe të gjithë administratës. E dëgjon që propozon uljen e pensioneve dhe e kupton siç thotë ajo nëna, ajo gjyshja tek ajo videoja ‘ky ka ikur nga mendorja’. Po po zoti Beqja, kam përshtypjen që keni nevojë për kurim urgjent”.
Deputeti Ilir Beqja replikoi duke thënë se deklaratat e tij janë nxjerrë nga konteksti dhe për këtë fajësoi mediat.
“Nuk jam marrë me pensionistët fare. Ka tituj gazetash, ky është lloji i medias. S’jam marrë me pensionet. Por po të bëj në pyetje. Propozimi im që pensionisti Petrit Vasili të mos marrë pension 840 mijë lekë po të marri 630 mijë lekë, pse është i pamoralshëm”, u kundërpërgjigj ish-ministri Beqaj.





