Deputetja e Partisë Demokratike, Andia Ulliri deklaroi se projektbuxheti për vitin 2024 nuk ofron asgjë për të rinjtë shqiptarë.
Në një dalje për mediat, Ulliri tha se 7 miliardë euro shpenzime ka programuar për të bërë qeveria në vitin 2024 por shumica dërrmuese shkojnë për PPP, koncesione dhe luks qeveritar dhe shumë pak për të rinjtë.
DEKLARATA E ANDIA ULLIRIT:
Jemi në javët e diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2024. Në kushte normale, ky projektbuxhet do të diskutohej në seanca plenare dhe komisione parlamentare duke mundësuar evidentimin para jush të asaj çka kjo qeveri merr dhe jep. Por fatkeqësisht kjo nuk po lejohet të ndodhë për arsye të qarta për këdo, ndaj dhe Partia Demokratike ka vendosur që të denoncojë përditë problematikat e këtij projektbuxheti.
Si deputetja më e re e Parlamentit Shqiptar e ndjej dyfish obligimin për të folur për rininë.
Ky projektbuxhet nuk jep asnjë gjë domethënëse për të rinjtë shqiptarë.
Në një periudhë kur shumica e rinisë kërkon të largohet nga ky vend duke sakrifikuar edhe jetën për të shkuar në vende si Britani e Madhe, Gjermani e Itali, qeveria shqiptare nuk bën përpjekje për t’i mbajtur ata këtu, nuk bën përpjekje për të ngjallur shpresën për të rinjtë që të qëndrojnë në vendin e tyre.
Buxheti për rininë nuk është aspak domethënës duke shuar çdo ditë e më tepër shpresën e tyre për të qëndruar në Shqipëri.
Investime minimaliste në shkollat profesionale, pothuaj aspak mbështetje për projektet apo sipërmarrjet e të rinjve, mbështetje tallëse për ekselentët në universitete, janë vetëm pak nga shumë e shumë elementë që tregojnë se kjo qeveri nuk i ka prioritet të rinjtë.
7 miliardë euro shpenzhime ka programuar për të bërë qeveria në vitin 2024 por shumica dërrmuese shkojnë për PPP, koncesione dhe luks qeveritar. Shumë shumë pak për të rinjtë. Edhe ato fonde të buxhetuara ose shkojnë tek klientët e qeverisë ose një pjesë e mirë në xhepat e administratës së korruptuar.
Ndaj, sot është dita të themi se duhen më shumë para për të rinjtë. Duhen më shumë investime për të rinjtë. Rinia duhet të jetë prioritet në të gjithë sektorët, nëse do duam që nesër Shqipëria të mos braktiset e të ngelet bosh.